Arbëri

Haradinaj thotë se Kosova është e hapur për investime nga Arabia Saudite

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot priti në takim një delegacion të Këshillit të Odave Saudite si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga ky vend, të kryesuar nga Khalid Abdulrahman AL Othman.

Në komunikatën dërguar medieve, thuhet se Haradinaj falënderoi delegacionin për gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim dhe konfirmoi përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për të krijuar kushte të përshtatshme për investime strategjike, që do të ndihmonin zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

"Kosova ka potenciale të mëdha për të pranuar investime direkte. Ne kemi krijuar ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, kemi resurse njerëzore, fuqi të re punëtore dhe të profilizuar si dhe kushte të volitshme për sa i përket legjislacionit në fushën e të bërit biznes", tha Haradinaj.

“Takimi me investitorët dhe biznesmenët nga Arabia Saudite është në vazhdën e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të dhënë mesazhin se Kosova po bëhet një treg atraktiv ku mund të investohet në shumë fusha”, thuhet në komunikatën dërguar nga kryeministria.