Arbëri

Me fjalime të gjata VMRO mban peng konstituimin e Kuvendin

Partitë as sot nuk kanë kapërcyer dallimet rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri në Maqedoni, madje deputetët kanë diskutuar tema fare dytësore duke shpërqendruar vëmendjen nga zgjidhja e problemit kryesor.

LSDM-ja akuzoi VMRO-në se në këtë mënyrë përpiqet të mbrojë eksponentët e saj nga përgjegjësia për veprimet kriminale, ndërkohë që partia e Gruevskit vijon të këmbëngulë për hedhjen poshtë të platformës shqiptare nga LSDM-ja, raporton Alsat.

BDI-ja ndërkohë shprehet e prerë se pavarësisht vonesave Talat Xhaferi në fund do të zgjidhet kryetar i parlamentit.

Kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski, vendosi të refuzojë të gjithë fjalimet procedurale. Në këtë rast ashpër reaguan deputetët e LSDM-së duke thënë që ju bëhet padrejtësi. Pas këtij reagimi Veljanovski dha pushim dhe i ftoi në koordinim përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, ka theksuar se në demokracinë parlamentare kanë rëndësi numrat dhe VMRO nuk i ka këto numra, shumicën parlamentare e ka koalicioni LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.

“Nuk e di kur do të zgjidhet Talat Xhaferri kryetar i Kuvendit por një ditë do të zgjidhet. Në demokracinë parlamentare rëndësi kanë numrat dhe VMRO-DPMNE nuk i ka numrat. Kemi një koalicion LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë verifikuar ekzistimin shumicës parlamentare. Çfarë tjetër duhet të ndodhë. Shqipëria nuk është ndër vendet me të cilat keni mosmarrëveshje. Kujdes ku e çoni debatin”, tha Ademi.