Arbëri

Partia serbe në Mal të Zi, me referendum synon anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës

Partia serbe në Mal të Zi, Këshilli Kombëtar Serb (SNS), ka ndërmarrë një iniciativë për anulimin e vendimit të Qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjegjësisht për mbajtjen e një referendumi shtetëror në lidhje me këtë çështje.

Iniciatorët e këtij referendumi, presidenti i SNS-së, Momçilo Vuksanoviq dhe Simon Gjuretiq, sot kanë deklaruar se edhe patriarku serb Irinej e ka përkrahur iniciativën e tyre e cila i është dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi, raporton televizioni publik i Malit të Zi.

Siç bëhet e ditur, patriarku Irinej gjatë bisedës me zyrtarët partiakë të SNS-së, ka thënë se “mbështetja ndaj shqiptarëve për marrjen e Kosovës dhe Metohisë nuk është në pajtim me historinë shekullore të Malit të Zi dhe popullit të tij”, transmeton Koha.net.

“Ne jemi një popull. Askush nuk e kundërshton pavarësinë malazeze, por mbështetja për shqiptarët për kapjen e Kosovës dhe Metohisë nuk është në pajtim me historinë shekullore të Malit të Zi dhe popullit të tij e veçanërisht me ndjenjën e sundimtarëve të tij”, tha Irinej.