Arbëri

Banorët e Hades, të pakënaqur me procesin e zhvendosjes protestojnë para Qeverisë

Nga Hadja, banorët e këtij fshati kanë ardhur të protestojnë edhe para ndërtesës së Qeverisë në shenjë pakënaqësie për moszhvendosjen e tyre.

Protestuesit kanë kërkuar që sa më shpejt kryeministri Haradinaj t’u bëjë zgjidhje për banim, ashtu siç është e paraparë edhe me vendim, raporton KTV.

Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar se protestat nuk do të jenë të qeta sikurse kjo e së enjtes.

Sipas banorëve, jeta e tyre është varfëruar skajshmërisht pasi gjithë këto vite vazhdojnë të jetojnë në një vend ku u rrezikohet shëndeti.

Ata kanë thënë se si familje, nuk kanë mundur të ndërtojnë as shtëpi dhe për rrjedhojë mbesin të izoluar.

E, pas më shumë se 40 minutash pritjeje, me protestuesit është takuar këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka, i cili ka thënë se do të mundohen që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje për këta banorë.

Ai ka premtuar takim me kryeministrin, por pa dhënë ndonjë datë të saktë.

Pavarësisht kësaj, banorët kanë thënë se do të ankohen në instancat përkatëse ndaj Qeverisë për moskryerjen e obligimeve, pasi, sipas tyre, po u shkelen të drejtat e njeriut.