Arbëri

Lekaj në Slloveni ankohet për problemet në transportit rrugor e hekurudhor që po shkakton Beogradi

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar për takimet që ka pasur në ambientet e jashtme të konferencës për TEN-T, që po mbahet në Lubjanë të Sllovenisë.

Lekaj ka thënë se ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore, Baher El-Hifnawi, udhëheqës ekonomik për transport dhe Gaviria, menaxher për Evropë dhe Azinë Qendrore, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Alain Barron.

“Me ta biseduam për projektet e infrastrukturës rrugore dhe mënyrat e financimit të tyre. Veçanërisht gjatë bisedës me përfaqësuesit e BB dhe Barron, biseduam për vazhdimin segmentit të rrugës R7 në drejtim të Merdares për të cilin projekt kemi përfunduar studimin e fizibilitetit. Nga përfaqësuesi i KE-së, Alain Barron, ndër të tjera i kërkova përkrahje për tejkalimin e problemeve që po hasen në fushën e transportit rrugor dhe hekurudhor në raport me Beogradin”, ka thënë Lekaj.

“Sot, në kuadër të konferencës TEN-T që po mbahet në Lubjanë, përshëndeta kryeministrin slloven Mirko Cerar, të cilin e falënderova për ndihmën e vazhdueshme të Sllovenisë dhënë vendit tonë drejt integrimeve evropiane, përvoja këto që tashmë një kohë i ka kaluar shteti Slloven, i cili është një shembull i suksesit”, ka thënë ai, për një takim tjetër në kryeqytetin slloven.

Po atje, ai ka taluar edhe Sue Barret drejtoresh e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për transport, me te cilën thotë të ketë biseduar për vazhdimin e projekteve infrastrukturore të financuara nga BERZH-i.

“I premtova znj. Barret, se Ministria e Infrastrukturës do t’i kryej detyrat e veta me kohë dhe me përgjegjësinë me të lartë në menyrë që qytetarët e vendit tonë t’i gëzojnë frytet e punës dhe investimeve në rrugë dhe hekurudha sa më shpejt. Ministria e Infrastrukturës do të fillojë shumë shpejt projektin Kijeve - Zahaq me financim përmes kredisë së BERZH-it, Bankës Investive Evropiane dhe Buxhetit të shtetit tonë. Nuk do të lejojmë, që për shkak të neglizhencës njerëzore të ketë prolongime dhe pengesa për materializimin e huamarrjeve dhe në zbatimin e projekteve infrastrukturore”, ka thënë Lekaj.