Arbëri

Hoxha do mbështetje nga Komisioni Evropian në zbatimin e reformave për agjendën evropiane

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, takoi David Cullen, shef i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, me ç’rast diskutoi për Raportin e vendit, të arriturat dhe sfidat e procesit integrues.

Në takim, sipas njoftimit të Ministrisë, Hoxha dhe Cullen diskutuan lidhur me të gjeturat e raportit të fundit për vendin dhe mënyrën e adresimit të këtyre gjetjeve. Po ashtu u diskutua edhe për agjendën evropiane të reformave dhe proceset që duhet kryer në kuadër të kësaj agjende. 

“Reformat që parashihen me Agjendën Evropiane dhe reformat ekonomike, përfshijnë edhe reformat në administratë të cilat i shohim si hap të rëndësishëm në procesin integrues. Përmes zbatimit të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Ministria ka punuar në rishikimin e Programit të MSA-së në shtator të vitit të kaluar si dhe zbatimin e tij”, theksoi Hoxha, duke shtuar se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në kryerjen e detyrave që avancojnë procesin e integrimit.

David Cullen theksoi se modernizimi, transformimi dhe avancimi administratës në Kosovë është investim shembullor në të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, e cila ndikon fuqishëm në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarëve si dhe vlerave integruese.

Shefi i Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian, Cullen po ashtu, ka shprehur gatishmërinë e Komisionit Evropian për përkrahjen e Agjendës Evropiane të Reformave si dhe mbështetjen buxhetore sektoriale për Kosovën.