Arbëri

BB mbështet me 50 mln dollarë ndërtimin e rrugëve rajonale në Shqipëri

Tiranë, 26 prill - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar një projekt prej 50 milionë dollarësh për lidhjen e rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri.

Projekti mbështet përmirësimin e aksesit në zona turistike dhe bujqësore, si dhe forcimin e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.

“Projekti i ri do të fokusohet në prioritizimin e atyre ndërhyrjeve që sjellin përfitim më të madh ekonomik duke mbështetur sektorë produktivë, në veçanti bujqësinë dhe turizmin”, tha Maryam Salim, menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Më specifikisht, projekti do të financojë rehabilitimin e rreth 55 km rrugë rajonale dhe lokale, duke përmirësuar lidhjen dhe sigurinë rrugore në zona ku jetojnë afro 80,000 banorë. Programi për vitin e parë të projektit përfshin tri segmente rrugore të njohura për rëndësinë e tyre në zhvillimin e turizmit dhe/ose të bujqësisë siç janë rrugët Fier-Seman, Pogradec-Tushemisht dhe Qafë Thore-Theth.

Qasja e prioritizimit të investimeve që do të përdorë projekti do të shërbejë edhe në të ardhmen si një kuadër politikash për investime të reja në ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit rrugor, me financime vendase apo të huaja.