Arbëri

Rugova: 70 për qind të ushtarëve të UÇK-së kanë qenë pjesëtarë të LDK-së

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se 70 për qind e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë pjesë e partisë së tij, derisa ka shtuar se Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Bujar Bukoshi më shumë mjete u ka ndarë grupit të LPK-së sesa grupit të LDK-së, FARK-ut.

“Qeveria e Kosovës thjesht ka financuar të dy krahët, bile më shumë krahun e LPK-së sesa atë institucional. Luftën e bëri UÇK-ja, por të kujt ishin Ahmet Krasniqi, Agim Ramadani, Tahir Zemaj, Ukë Bytyçi e Blerim Kuçi”, ka thënë Rugova për pjesëtarët e FARK-ut në luftën e fundit.

“70 për qind e ushtarëve të UÇK-së ishin të LDK-së. Nëpër gjykimet e Hagës ndaj ushtarakëve të UÇK-së, kemi incizime që ata thonë se 70 për qind e ushtarëve kanë qenë me LDK-në”, ka shtuar Rugova.

I pyetur për tetë milionë markat për të cilat është debatuar së fundmi, Rugova është shprehur i sigurt se Qeveria Bukoshi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e financoi me 20 milionë marka.

“Qeveria Bukoshi në vitin 2000 ka dalë me raport të saktë para Kuvendit të Kosovës dhe ka raportuar. Por po shihet ku kanë shkuar mjetet e Fondit Vendlindja Thërret”, ka thënë Rugova.

“Jo vetëm 8 milionë, por vlerësohet se mbi 20 milionë Qeveria Bukoshi ia ka ndarë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka thënë Rugova kur është pyetur për ndarjen e tetë milionë markave.

“Kam miq të afërm dhe këtë të gjithë e dinë”, ka thënë ai për ndarjen e fondeve.

Rugova veç të tjerash, ka folur edhe për tryezën e organizuar nga partia e tij për rrëzimin e qeverisë së Haradinajt, të cilën ai e ka quajtur si më të keqen që prej vitit 1945.

Edhe pse ka thënë se nesër nuk pret që të ketë ndonjë datë për zgjedhjet e reja, për deputetin Rugova është me rëndësi që partitë politike të vijnë në konkludim se Kosova është përfshirë në një krizë institucionale dhe politike.

“Kjo qeveri është më e keqja që prej vitit 1945. E lejuam Haradinajn që të kalojë 250 ditë, urojmë që kjo logjikë e tillë qeverisëse që është duke e fundosur perspektivën e Kosovës të mos vazhdojë”, ka thënë Rugova.

“LDK-ja disa javë e ka artikuluar dhe analizuar në detaje këtë hap të domosdoshëm. Tani kemi një qeveri me logjikë ballkanike për qeverisje në koalicion, hapa politik që e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar dhe marsin e këtij viti e kanë dëmtuar marrëdhëniet me vendet mike”, ka thënë ai për tryezën e nesërme.

“Ka rëndësi që të fillojë dialogu mes spektrit politikë, ka rëndësi që të ulen gjakrat dhe të dilet me një konkludim që vendi është në një krizë institucionale dhe politike, që qeveria nuk i ka më numrat dhe që duhet të gjendet një zgjidhje për krizën që ka kapluar vendin”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse mocionin për rrëzimin e qeverisë së Haradinajt do ta votonte edhe Teuta Rugova, deputeti Rugova ka thënë se e bija e ish-presidentit do të votojë konform qëndrimeve të LDK-së.

“Teuta Rugova është deputete e LDK-së, ajo ka votuar konformë qëndrimeve të LDK-së. Ajo në asnjë moment nuk ka votuar për këtë koalicion qeverisës. Nga informatat që i kam, Teuta Rugova nuk merr vendim jashtë qëndrimit zyrtar të LDK-së. Ne jemi 27 deputetë kompaktë. Është qëndrim i LDK-së që të shkojmë konform procedurave ligjore”, ka thënë Rugova.