Arbëri

Konjufca thotë se Haradinaj e Veseli me platforma po e fuqizojnë Thaçin

21:15 - Të dy platformat e ditëve të fundit, një e miratuar në Qeveri dhe e dyta, ajo e kryetarit të Kuvendit dhe PDK-së, Kadri Veseli nuk janë asgjë tjetër veçse mjet për të fuqizuar rolin e presidentit Hashim Thaçi për të drejtuar bisedimet me Serbinë. Ky është qëndrimi i Glauk Konjufcës i shprehur në Rubikon të KTV-së.

“Të dy këto dokumente, edhe Kadri Veseli edhe Ramush Haradinja janë bërë njëfarë asistence e Hashim Thaçit. Bile, kjo e Haradinajt ishte edhe më qesharake pasi mendoj se atë nuk e kanë shkuar ata, por Presidenca. Haradinaj këtu e bën një akt shumë të papranueshëm politik pasi i ka të gjitha mekanizmat, duke qenë edhe rezoluta e Kuvendit, të cilën Ramush Haradinaj e shkel për Hashim Thaçin”, ka thënë Konjufca.

Kujtojmë se vetëm pak ditë pas miratimit në qeveri të “Platformës Shtetërore për Finalizimin e Dialogut të Kosovës me Serbinë”, edhe kryetari i Kuvendit ka dalë me “dokumentin” e quajtur “Platforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës”, ku ka ngritur pesë çështje të rëndësishme.

Konjufca theksoi se presidenti Thaçi asnjëherë nuk hoqi dorë nga drejtimi i PDK-së përveç asaj me letra.

“Vetëm shikoni këtë çka ndodhi me Driton Gashin dhe e kuptoni çfarë po them”, ka thënë Konjufca. Sipas tij, ai vetëm i ndërroi dy njerëz të tij, Driton Gashin me Shpend Maxhunin.

“Kur bën marrëveshje me Hashim Thaçi duhet ta lësh të sillesh si mbret”, ka thënë Konjufca duke ju drejtuar koalicionit qeverisës, i cili sipas tij varet tërësisht nga fuqia e Thaçit. Madje sipas tij, LDK duhet të mbaj përgjegjësi për bërjen e Thaçit president dhe Veselit kryeparlamentar, siç iu drejtua Konjufca, “dhurata” nga LDK.

“Isa Mustafa atëherë fort donte të bëhej kryeministër por nuk mund të bëhej pa e bërë Thaçin president. Pastaj Thaçi ia tërhoqi tepihun nën këmbë”, tha ai.


Konjufca: Të larguarit e Vetëvendosjes u tallën me votuesit e tyre

20:53 - Glauk Konjufca në Rubikon të KTV-së foli për ndarjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupin e deputetëve tashmë të ndarë nga kjo parti. Ai tha se ndonëse është i pikëlluar nga kjo që ndodhi, nuk vazhdon t’i konsideroj të gjithë miq. Me këtë iu drejtua Dardan Molliqajt.

“Me disa prej tyre sepse kemi pas një dallim në qasje. Kam vërejtur dy qasje brenda atij grupi. Një grup i njerëzve që kanë bërë çmos që ta godasin Lëvizjen Vetëvendosje, e këtu hyn Dardan Molliqaj, pasi këtu kemi pasur edhe një debat i cili nuk ka qenë fare i lehtë”, ka thënë ai.

“Nga Vetëvendosje ka dalë edhe Ilir Deda mirëpo kurrë nuk e kam parë të organizojë pa fund emisione duke u marrë me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen”, shtoi tutje Konjufca. “Duke qenë i tillë Dardani, pasi ka pas shumë ma shumë kontribut se Ilir Deda, është dashtë ta ruajë shumë më shumë”.

“Nuk kam menduar se këto figura kryesore të Vetëvendosjes janë irracionale”. I pyetur se çka mendon për deklaratat se edhe vetë Konjufca mund të dalë shumë shpejt nga partia, ai mohoi diçka të tillë.

“Ky është një hamendësim për të cilin ata duhet të japin argumente. Jam njëri nga bashkëthemeluesit, si shumë nga këta që janë larguar dhe ndjehem shumë mirë”.

“Nuk është turp, kurrgjë nuk është turp. Mendoj që është shkatërrim i shpresës së popullit”, bëri të ditur Konjufca duke folur për largimin e figurave të Vetëvendosjes.


Vetëvendosje me propozim për mocionin e rrëzimit të qeverisë

20:40 - Ky është propozimi i Vetëvendosjes që do ta shtrojnë nesër në tryezën e thirrur nga LDK Shefi i GP të LVV-së, Glauk Konjufca në një intervistë për Rubikon të KTV-së bëri të ditur propozimin të cilin do ta hedhin në takimin e nesërm të thirrur nga LDK.

“Hapi i parë mund të ishte mbledhja e nënshkrimeve e të gjithë deputetëve opozitarë të cilët e shprehin vullnetin e tyre për mocion të votëbesimit. Atëherë kjo do të na bënte më të lehtë që t’i kërkonim vetëm edhe tre deputetë nga pushteti të cilët do të duhej të bindeshin”, bëri të ditur Konjufca qëndrimin e LVV-së.

“Pa i pasë emrat e tre deputetëve ne nuk mund të shkojmë e ta eksperimentojmë mocionin e votëbesimit”, shtoi tutje ai. Konjufca tha se nuk do t’i kërkojnë Listës Serbe nënshkrimin për mocion. Mirëpo nëse një gjë e tillë do bëhet vullnetarisht nga deputetët serb atëherë nuk do ta refuzojnë atë.

“Ne jemi kundër asaj që t’ia kërkojmë Listës Serbe nënshkrimet sepse mendojmë që është e dëmshme që përmes Listës Serbe të rrëzohet Qeveria”.


Konjufca: Gjykata Speciale e mban në jetë koalicionin e PAN-it

20:27 - Gjykata Speciale mbanë bashkë Partinë Demokratike të Kosovës me kryeministrin Ramush Haradinaj. Sipas nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca kjo çështje vazhdon ta mbajë të bashkuar koalicionin qeverisës.

“Qeveria rrëzohet atëherë kur i ki numrat dhe kur deputetë nga koalicioni binden se kësaj qeverie i ka ardhur fundi. PDK besoj që shumë shpejt do të bindet. Njëra pistë e argumenteve e cila të çon në drejtim të idesë që ky koalicion do të qëndrojë për shkak të Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

Ai përmendi një bisedë që kishte me kryeministrin Haradinaj në vitin 2016.

“Patëm bërë një takim bashkë me Nismën dhe AAK-në. Në takim ishte Limaj, Albini e Ramush Haradinaj. Nëse opozita e bashkuar do të shkonte bashkë në zgjedhje dhe do ta fitonte shumicën, cilën ta zgjedhim mes LDK-së e PDK-së, sipas Ramush Haradinajt ishte PDK. Ai tha që ‘e preferoj këtë për shkak të asaj se çfarë do të ndodh vitin e ardhshëm, dhe ajo është Gjykata Speciale, sfidat që e presin Kosovën’”, ka shpjeguar ai. “Alternativa mes LDK dhe PDK ishte e padiskutueshme për të”, shtoi tutje Konjufca.


Vetëvendosje dyshon në mocionin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje nuk është për mocion votëbesimi në rast se nuk i ka 61 nënshkrime të deputetëve. Shefi i GP të kësaj Lëvizje, Glauk Konjufca në një intervistë për Rubikon të KTV-së bëri të ditur se është qëndrim i prerë i partisë.

Ai ka theksuar nuk janë për një mocion “vetëm sa për ta provuar” E pikërisht kjo, sipas Konjufcës, e bën të dallojë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje, e këtu do të dallojmë nga LDK, mendon që fillimisht duhet të pajtohemi që do të ishte i dëmshëm një mocion votëbesimi i cili nuk do të kalonte. Pa qenë 61 firma në një listë të deputetëve të cilët e konfirmojnë vullnetin e tyre për rrëzimin e Qeverisë atëherë na duket shumë eksperimentale shkuarja në një mocion i cili nuk kalon”, ka deklaruar ai.

“E para ka të bëj me faktin se nëse kjo Qeveri e kalon mocionin, mendoj që kjo qeveri forcohet e aktualisht është shumë e brishtë, edhe për shkak të numrave por edhe skandaleve. Nëse e kemi veç sa për ta provuar, atëherë është ide e gabueshme”, shtoi tutje Konjufca.