Arbëri

Kërkohet mbështetja e Francës për liberalizimin e vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti në takim ambasadorin e Francës, Didier Chabert, me të cilin diskutoi për Raportin e vendit të Komisionit Evropian.

Hoxha, theksoi se Raporti i Komisionit Evropian është objektiv dhe udhëzues i mirë për të arriturat dhe sfidat tona, duke u përqendruar në prioritetet e procesit nëpër të cilin po kalon vendi, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.



“Raporti është objektiv, ka evidentuar të arriturat tona por edhe sfidat, duke dhënë udhëzime se ku duhet të përqendrohemi për të përshpejtuar synimet tona integruese.

Ne besojmë se arritjet tona janë në pajtim me kërkesat për liberalizimin e vizave, 95 nga të cilat janë realizuar.

Arritjet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të ndalet edhe pas liberalizimit të vizave, ngase, këtë dukuri negative do ta luftojmë vazhdimisht, në pajtim me vlerat që aspirojmë”, theksoi Hoxha e cila kërkoi mbështetjen e Francës për vendimin e liberalizimit të vizave.

Ambasadori Chabert, theksoi se Franca ka përkrahur vazhdimisht dhe do ta përkrahë në të ardhmen, procesin integrues të Kosovës, duke kontribuar në rrafshin ndërkombëtar por edhe në shtetndërtim.