Arbëri

Rruga dytësore që favorizon sezonin turistik në Velipojë

Descriptive Text

Mbi 50% e punimeve kanë mbaruar në infrastrukturën e re rrugore që lidh Shkodën me Velipojën turistike, ndërsa kompanitë e kontraktuara po intensifikojnë punimet në rehabilitimin e plotë të segmentit Harku i Bërdicës – Baks, duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve me nisjen e sezonit turistik.

Në prag të sezonit turistik, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po merr të gjitha masat e nevojshme që projekti për rikonstruksionin e rrugës Shkodër – Velipojë të mos kthehet në pengesë për sezonin turistik që është në prag.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci së bashku me inxhinierë e specialistë që ndjekin punimet në rrugën Shkodër – Velipojë u takuan me përfaqësues të firmave kontraktore që po punojnë në këtë rrugë për të diskutuar mbi ecurinë e punimeve.

Por, sipas Becit, me sezonin turistik në prag lind nevoja të merren masa konkrete për të shmangur pengesat në qarkullimin e qytetarëve dhe turistëve që zgjedhin Velipojën për të pushuar.

“Kompanitë e kontraktuara do të intensifikojnë punimet në segmentin Harku i Bërdicës – Baks, si në gjurmën e re ashtu edhe në segmentin ekzistues, që po i nënshtrohet rikonstruksionit me qëllim që në nisje të sezonit turistik qarkulllimi i automjeteve të vijojë normalisht”, tha Beci.

Rruga Shkodër – Velipojë është një projekt i financuar nga qeveria shqiptare me 2.3 miliard lekë në kuadër të Fazës II të investimeve të qeverisë shqiptare në projekte me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit.

Pjesa më e madhe e trasesë së kësaj rruge kalon në afërsi të brigjeve të lumit Buna, duke filluar nga zona tek Ura e Bahçallëkut. Është një hapësirë e gjerë me një ekosistem të veçantë dhe peizazh natyror të spikatur, elemente këto që e bëjnë të këndshëm udhëtimin Shkodër – Velipojë dhe anasjelltas.

Ndërtimi pas më shumë se 30 vite i kësaj infrastrukture të re rrugore, me standarde dhe sipas modeleve bashkëkohore, krijon mundësi që në Velipojë të zhvillohet turizmi gjithëvjetor, me impakt në rritjen e aktivitetit ekonomik, e bujqësor dhe përmirësimin e të ardhurave ekonomike të banorëve të kësaj zone.

Velipoja është një qendër turistike me peizazh të larmishëm, ku ndërthuren deti, ranishtja, lumi, delta me ishuj, kodra, pylli, laguna, fusha, ligatinat. Ajo konsiderohet si vendi më i përshtatshëm për të vrojtuar zogjtë e Adriatikut Lindor në dunat e rërës dhe pellgjet e cekta të ujit, ndërsa shquhet për tradita të pasura etno-folklorike.