Arbëri

Ambasadorja e Kosovës në Panama dorëzoi letrat kredenciale në Saint Kitts dhe Nevis

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, i dorëzoi sot letrat kredenciale te Guvernatori i Përgjithshëm i Federatës së Saint Kitts dhe Nevis, Sir Tapley Seaton, bëhet e ditur përmes një njoftimi për media.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rudi, tanimë si Ambasadore e parë e Kosovës në rajonin e Karaibeve shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për njohjen dhe mbështetjen dhënë Kosovës nga Federata e Saint Kitts dhe Nevis nëpër vite, transmeton Koha.net.

“Rudi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit të shumanshëm mes dy shteteve. Ajo po ashtu, shprehu vullnetin e shtetit të Kosovës për avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Federatën e Saint Kitts dhe Nevis në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, guvernatori i Përgjithshëm i Federatës së Saint Kitts dhe Nevis, Sir Tapley Seaton, shprehu përkushtimin për përkrahjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën. Ai, gjithashtu, theksoi përkushtimin e institucioneve të Saint Kitts dhe Nevis për bashkëpunim bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në kuadër të organizatave multilaterale.

Në ditët në vazhdim, Rudi do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Timothy Harris dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh udhëheqës i Ishullit Nevis, Mark Brantley, ku do të diskutohet për mundësitë e fuqizimit të relacioneve ndërshtetërore dhe bashkëpunim e përafrim ndërmjet dy vendeve dhe qytetarëve.

Saint Kitts dhe Nevis e ka njohur pavarësinë e Kosovës në nëntor të vitit 2012. Në mars 2016 Kosova dhe Saint Kitts dhe Nevis kanë nënshkruar marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Dorëzimi i letrave kredenciale shënon thellim të mëtejmë të relacioneve miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve.