Arbëri

Ministri i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit duan t’u sjellin më shumë drejtësi qytetarëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vizituar sot Institucionin e Avokatit të Popullit, ku është pritur nga Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Siç njofton kumtesa, Tahiri e ka njoftuar Avokatin e Popullit për agjendën legjislative të Ministrisë së Drejtësisë, që synon rritjen e kapaciteteve të sektorit të sundimit të ligjit, në veçanti fuqizimin e gjyqësorit.

Tahiri theksoi rëndësinë që ka Institucioni i Avokatit të Popullit, si një prej institucioneve më kredibile në vend, në adresimin e shqetësimit të qytetarëve që kanë lidhur me punën e të gjitha institucioneve publike.

Krerët e dy institucioneve u pajtuan që të bashkëpunojnë ngushtë, në mënyrë që qytetarëve t’iu ofrohet drejtësi më efikase, duke u theksuar se bashkërendimi i veprimeve me akterët e drejtësisë do të ndihmonte në adresimin më të shpejtë të problemeve, që përfundimisht do të mundësonte qasje më të lehtë në drejtësi për të gjithë qytetarët.