Arbëri

GAP publikon raportin e monitorimit për modernizimin e Administratës Publike

Instituti GAP sot ka publikuar raportin me titull “Monitorimi i Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike”.

Monitorimi përfshinë periudhën dhjetor 2015 – dhjetor 2017. Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2020 dhe Plani i Veprimit 2015-2017 për zbatimin e kësaj strategjie janë miratuar nga qeveria në shtator 2015.

Strategjia përmban tri objektiva: shërbimin civil, procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve publike, si dhe organizimi i administratës publike dhe llogaridhënia. Ndërkaq, plani i veprimit përmban 54 aktivitete të cilat është dashur të realizohen gjatë periudhës 2015-2017.

“Por, nga gjithsej 54 aktivitete, vetëm 16 janë kryer plotësisht, përderisa 22 aktivitete janë në faza të ndryshme të realizimit, kurse 16 të tjera nuk janë kryer”, thuhet në komunikatën për medie nga GAP.

Objektivi i parë i strategjisë mbi shërbimin civil përmban 18 aktivitete, prej të cilave vetëm tetë janë kryer. Në mesin e aktiviteteve të cilat nuk kanë përfunduar janë: finalizimi i klasifikimit të vendeve të punës të shërbimit civil dhe zbatimi i sistemit të ri te pagave; plotësim ndryshimi i Ligjit për Shërbimin Civil me qëllim të organizimit dhe funksionalizimit të shërbimit civil me funksional dhe jopolitik; krijimi dhe zhvillimi i sistemit të kreditëve për trajnimet e zhvillimit të karrierës dhe të detyrueshme; organizimi i programit të ekselencës në administratën publike.

Objektivi i dytë i strategjisë mbi procedurat administrative dhe ofrimi i shërbimeve publike administrative përmban 25 aktivitete, prej të cilave vetëm shtatë janë kryer. Nga aktivitetet që nuk janë përfunduar janë: lansimi i portalit e-Kosova; vendosja e kutive për marrjen e opinioneve në të gjitha institucionet mbi shërbimet e ofruara; publikimi i listës së shërbimeve administrative, kohëzgjatja e realizimit, kriteret si dhe kostoja për realizimin e tyre; publikimi i të dhënave të kontaktit për çdo institucion dhe për personin i cili është përgjegjës për ofrimin e shërbimit publik administrative përkatës.

Ndërkaq objektivi i tretë mbi organizimin e administratës publike dhe llogaridhënien përmban 11 aktivitete prej të cilave është kryer vetëm një, e që është hartimi i koncept dokumentit për politikat e qasjes në dokumente publike. Ndër aktivitetet e papërfunduara janë: ri-organizimi i administratës publike sipas bazës së re ligjore; monitorimi dhe zbatimi i Kodit të Etikës në shërbimin civil; krijimi i databazës për kërkesa për qasje në dokumente publike; krijimi i listës së informatave për të cilat institucionet janë të obliguara t’i publikojnë në uebfaqet e tyre; plotësimi i kuadrit ligjor për qasjen në dokumente publike.