Dogana s’ ka arritur të hyrat që i parashikoi Qeveria

22 prill 2018 21:21

Dogana e Kosovës nuk ka arritur t’i përmbushë parashikimet e Qeverisë së Kosovës.

Nga 221 milionë euro sa kishte parashikuar qeveria të arkëtoheshin nga dogana për periudhën janar -mars të këtij vitit, dogana ka pasur të hyra 211 milionë euro, 10 milionë më pak sesa parashikimet, raporton KTV.

E rritje të theksuar nuk kishte arritur të ketë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke pasur rritje për vetëm 0.19 për qind.

Rënie kishte shënuar edhe për muajin mars në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, për 8 milionë euro më pak.

Por në këtë institucion nuk pranojnë që ritmi i të ardhurave të ketë shënuar rënie.

Në Ministrinë e Financave nuk kanë pranuar të japin detaje për këtë problematikë, mirëpo burime të KTV-së brenda qeverisë kanë bërë të ditur se drejtorit të kësaj agjencie që mbush buxhetin, i janë paralajmëruar masa përfshirë edhe shkarkimin e tij nëse vazhdohet me mospërmbushjen e parashikimeve të qeverisë.

Njohësit e zhvillimeve ekonomike në vend thonë se kjo po ndodh për shkak të rritjes së kontrabandës dhe ikjes nga tatimet.

Sipas studimit të bërë në fund të vitit të kaluar nga Ministria e Financave dhe Bashkimi Evropian, ka dalë që ekonomia e zezë arrin deri në 31.7 për qind.

Kjo bën që rreth 500 milionë euro në vit t’i humbë arka e shtetit.

E Dogana në Raportin e Progresit të vitit 2016 kishte arritur të marrë vlerësim maksimal për menaxhim të kufirit, duke realizuar të ardhura më shumë sesa parashikimet në buxhet.

Mirëpo, në raportin e fundit thuhet se ky institucion ka qenë i përgatitur pjesërisht.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme