Arbëri

Latifi kritikon Vehapin për borxhet e Rahovecit, i shqetësuar për palestrën që s’u bë tash 10 vjet

Kryetari i komunës së Rahovecit, njëherësh edhe anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi, ka folur për borxhet që komuna e Rahovecit ka trashëguar nga udhëheqja e Idriz Vehapit.

Por, ai u shpreh optimist që komuna do të marrë mbështetje nga Qeveria për tejkalimin e këtyre borxheve.

“Komuna jonë ka pranuar obligimet financiare për vitin 2018 ose borxhe të faturuara në vlerë 2 milionë 240 e disa mijë euro. Ndërsa njëkohësisht ka pranuar në kuadër të kësaj edhe obligime kontraktuale në projekte të ndryshme të caktuara për vitet në vazhdim që janë 6 milionë e 700 e disa mijë euro. Ne presim rishikimin e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës dhe i kemi adresuar shqetësimet, kërkesat dhe nevojat tona edhe përkitazi me obligimet financiare të cilat i kemi pranuar për këtë vit”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Ne po besojmë që disa projekte të rëndësishme kapitale të cilat janë vlera të mëdha financiare ne mund ta marrim ndihmën dhe duhet ta marrim ndihmën e Qeverisë së Kosovës sepse është krejt e natyrshme dhe e nevojshme për m’i dalë në krah komunave të Kosovës përkatësisht komunës tonë”, tha ai.

Por komuna që Latifi drejton po ka problem me përfundimin e punimeve për palestrën sportive të qytetit të nisur qysh në vitin 2008.

“Ne e kemi cilësuar edhe para zgjedhjeve nëpër fushata që palestra e sporteve në Rahovec ka filluar së ndërtuari në 2008 dhe tash po bëhen 10 vite që kur ka nisur. Ka gati dy vite që nuk është nisur faza përfundimtare e punimeve, dhe kjo është e papranueshme, është e pakuptimtë dhe është banale. Iu kemi adresuar menjëherë Ministrisë së Kulturës, iu kemi adresuar Qeverisë së Kosovës dhe vetë kryeministrit dhe jemi duke lëvizur të gjithë gurët që të lidhet kontratë sa më shpejt që është e mundur dhe të fillohet me fazën përfundimtare të ndërtimit të palestrës”.

“E di që procedurat kanë mbetur diku në prokurim ose në organin shqyrtues të prokurimit në Prishtinë, sepse siç e dini edhe opinioni i gjerë e din që është përgjegjësi e Ministrisë dhe jo e Komunës por në përgjegjësinë tonë janë angazhimet dhe presioni direkt. Ne jemi duke e bërë presionin direkt dhe shpresojmë që shpejt do të kemi kontratë me ndonjë operator dhe të mos bllokohet në pafundësi procedurat siç janë bllokuar që dy vjet në Ministri”, tha ai.