Arbëri

Veseli: Kosovën do ta bëjmë vend të zhvilluar

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot, me rastin e fillimit punimeve të rrugës Klinë e Epërme - Komoran, ka thënë se në Kosovë po ndodhë zhvillimi dhe ndryshimi pozitiv.

Veseli tha se për një shekull rresht në këtë rrugë kanë ecur heronjtë që bënë historinë e Kosovës, ata që punuan e luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që nga çetat e Ahmet Delisë e Azem Bejtes, luftëtarët e Shaban Polluzhës, e deri tek njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot jemi këtu, në fillimin e punimeve të kësaj rruge për të nderuar kujtimin e tyre. Njëkohësisht, për të dëshmuar forcën tonë për të ecur përpara, forcën tonë për ta zhvilluar Drenicën, për ta zhvilluar Kosovën, për ta fuqizuar shtetin dhe garantuar të ardhmen e sigurt për fëmijët e Kosovës”, tha Veseli.

Ai shtoi se ata që sot dyshojnë se në Kosovë po ndodhe ndryshimi pozitiv, janë të njejtit që dje mendonin se nuk mund të çlirohet Kosova.

“Ne e çliruam Kosovën. E bëmë shtet të pavarur dhe sovran. Do ta bëjmë shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe vend dinjitoz për qytetarët e saj, me rrugë moderne, spitale, shkolla e vende pune për të rinjtë e Kosovës. Nuk ka forcë që mund të na ndalë në këtë mision të shenjtë”, theksoi kreu i Kuvendit.

Kryeparlamentari Veseli propozoi që kjo rrugë moderne, nga Klina e Eperme e deri në Komoran, të marrë emrin e heroit kombëtar Shaban Polluzha.

“Shaban Polluzha ishte ai që shtroi për ne rrugën e lirisë. Sot ne e nderojmë këtë burrë të madh të Kosovës duke i vënë emrin e tij kësaj rruge moderne të Kosovës moderne dhe të zhvilluar”, tha Veseli.

Në fshatin Polluzhë sot nisën punimet për zgjerimin e Rrugës Rajonale R102, Komoran-Skenderaj, segmenti Komoran-Marinë, e gjatë e gjatë 17 kilometra. Kjo rrugë do t’i ketë katër korsi dhe të gjitha elementet tjera përcjellëse sipas standardeve të kërkuara të kohës, e buxhetuar me rreth 7 milionë euro.

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se me këtë rrugë Drenica gradualisht po kompletohet me infrastrukturë moderne. Ai premtoi se nuk do të ndalemi me kaq, por do të vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet mundësinë edhe për investime të tjera, siç është rruga nga Feronikeli e që lidhet me Autoudhën Prishtinë-Pejë, e gjatë rreth 6 kilometra te Kroi i Mbretit.

Të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan edhe kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci si dhe kyetari i Skenderajt, Bekim Jashari, të cilët pohuan rëndësinë e kësaj rruge për Drinicën dhe pelegrinazhet e Prekazit, që kalojnë nëpër këtë rrugë.