Arbëri

Hoxha: Duhet të punohet në eliminimin e ndikimit politik në gjyqësor

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në seancën e jashtëzakonshme të iniciuar nga deputetët për Raportin për Kosovën si dokumenti më i rëndësishëm i Komisionit Evropian, duke e konsideruar real dhe pozitiv edhe nga perspektiva krahasuese me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Hoxha ka përmendur shkurtimisht të arriturat e evidentuara aty, si zgjedhjet e vitit 2017, votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e demarkacionit, Progresi në Reformën e Administratës Publike dhe rishikimit të agjencive dhe trupave të pavarura, Progresi në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015, Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në drejtësinë e Kosovës.

Në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, theksoi ministrja, është shënuar progres në trajtimin e rasteve të shënjuara, duke përfshirë vendimet e shkallës së fundit si dhe në konfiskimet preliminare, progres në luftën kundër terrorizmit, masat për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin dhe parandalimin e qytetarëve për t’u bashkuar konflikteve në vendet e treta.

“Raportin duhet ta shohim dhe ta trajtojmë me objektivitet ashtu siç është. Askujt nuk i bën nder dhe nuk na duhet që të mohohen të arriturat dhe progresi të cilin e përmend Komisioni Evropian në raport. Po ashtu, askujt nuk i duhet që të mos flasim edhe për sfidat të cilat janë specifikuar në raport”, ka thënë Hoxha, duke shtuar sfidat e raportit.

Sipas saj, Raporti ka evidentuar si sfidë, fragmentimin dhe polarizimin e vazhdueshëm politik, duke ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe kanë ndikuar në efektivitetin e Qeverisë. Veprime të papranueshme nga një numër i deputetëve gjatë periudhës raportuese, të tilla si përdorimi i gazit lotsjellës, kanë penguar punën e Kuvendit.

“Ka shqetësime sa i përket politizimit të administratës, duhet të punohet në rritjen e kapaciteteve të gjyqësorit dhe eliminimit të ndikimit politik, institucionet të jenë më efektive për të luftuar pastrimin e parave, korniza ligjore garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me standardet evropiane por megjithatë, nevojiten përpjekje shtesë lidhur me zbatimin, Ekonomia joformale, rritja e papunësisë e cila kryesisht ka prekur gratë, të rinjtë dhe punëtorët e pakualifikuar, përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe adresimi i boshllëqeve të aftësive në tregun e punës si dhe adresimin e çështjeve mjedisore”, ka theksuar Ministrja.

“Duhet të fokusohemi në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës, avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Asnjë projektligj, reformë apo proces tjetër nuk guxon të ngec për shkak të mos pajtimeve politike e partiake. Është koha e fundit që të gjithë ta kuptojnë rolin e tyre në procesin e integrimit evropian pavarësisht çfarë funksioni mbajnë. E kemi raportin për vendin dhe sfidat e identifikuara, po ashtu e kemi Agjendën Evropiane të Reformave dhe MSA-në si dokumente udhërrëfyese. Le të krijojmë një konsensus nacional për të gjitha çështjet dhe reformat që janë pjesë e këtyre dokumenteve dhe të ecim para”, ka thënë Hoxha.

 


Sipas Haradinajt, liberalizimi konfirmohet para pushimeve verore

15:20 - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ardhshme do të propozojë planin veprues për t’i adresuar sfidat e dala nga raporti i progresit.

Kjo është bërë e ditur nga kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj, në seancën e Kuvendit ku po debatohet për raportin e progresit të Komisionit Evropian për vendin tonë.

“Ftesa për një seancë të shpejtë për raportin e Progresit, është gabim prej anës suaj, për shkak se një raport i tillë e kërkon një analizë me serioze. Duhet të ia leni një proces dhe Qeverisë dhe vetes për këtë raport. Ndryshe, edhe sot, javën tjetër, nuk e kuptoj çka është dallimi, sikurse të kishim bërë përgatitjet e duhura. Unë sot nuk po hy të flas për të arriturat progresin, sepse kemi pas rast me i dëgjuar. Por, po foli për sfidat, që do të përballemi ne nga ky raport që i dedikohet Kosovës. Përfshihemi të gjithë dy qeveritë, që kanë punuar këto dy vjet, pozitë- opozitë“, tha ai.

Ndërsa tha se Qeveria në mbledhjen e ardhshme, e cila do të mbahet të hënën do të propozojë një plan veprues, për t’i adresuar sfidat e dala nga Raporti i Progresit.

“Janë plot sfida. Çfarë do të bëjë Qeveria për sfidat, jo për të arriturat. Se ato do t’i dëgjojmë duke u lavdëruar dhe kemi me u lëvduar non- stop. Në mbledhjen e parë të Qeverisë do të propozojmë plan veprues, plan aksional. Çka mundet qeveria me ndihmuar Kosovën dhe me ndihmuar parlamentin dhe çdo institucion të përfshirë që t’i adresojmë këto sfida është ta adresojmë një plan veprues. Të hënën e kemi mbledhjen, s’kemi mund më përpara”, tha ai.

Ndërsa tha se para pushimeve të verës, Kosovës do t’i konfirmohet liberalizimi i vizave.

“Liberalizimi i vizave është vendos ajo temë. Nuk është përfshirë në raport, se vet karakteri i raportit ka dedikim të caktuar. Është një arritur e madhe, fakti se i është rekomanduar, hapja e negociatave dy fqinjëve tanë, sidomos për Republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Jam i bindur se ajo që na intereson neve shumë e që është liberalizimi i vizave do të ndodh. Unë mendoj që para pushimit të verës, do të na konfirmohet. Unë tash mendoj nuk po thirrem në asgjë tjetër. Nuk e them krejt në koincidencë“, tha ai.


Haxhiu fajëson ministren Hoxha për mospërkthimin e Raportit

13:59  - Deputetja e VV-së Albulena Haxhiu u arsyetua me thirrjen e seancës kaq shpejt ende pa u përkthyer materiali i këtij raporti në gjuhen shqipe.

“Ne e kemi thirrur këtë debat të jashtëzakonshëm me kërkesë të VV me mbështetjen dhe të LDK-së, për ditën e enjte, për dje. Mirëpo pastaj dhe në konsultim dhe me GP të LDK-së nga sekretari i Kuvendit na është thënë se ky raport mund të përkthehet të enjten deri pak para orës 12. Prandaj e kemi shtyrë për të premten. Pastaj dje në mbledhjen e Kryesisë, na është thënë se kompania që e ka marrë përsipër i duhen 10 ditë për ta përkthyer një dokument të tillë. Si ka mundësi, një person mund ta përkthej për dy tre ditë këtë raport. Në anën tjetër, një kompanie i duhen dhjetë ditë për ta përkthyer një raport të tillë. Pra është komplet jo serioze. Por kritikat rreth kësaj duhet t’i bëhen Ministrisë së Integrimeve, që se ka sjellë një raport në gjuhen shqipe për deputetët e Kuvend”, ka thënë Haxhiu.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha se është shkelje e të drejtës së deputetëve për ta pasur materialin dhe për ta lexuar.


Hoxhaj: Institucionet e BE-së janë unanime për të na e dhënë liberalizimin

13:47 - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se në bazë të komunikimeve zyrtare me Komisionerin për Zgjerim Hahn, institucionet e BE-së janë unanime për ta mbështetur Kosovën për ta marrë liberalizimin e vizave.

“Nga komunikimi zyrtar që kam pasur me komisionerin Hahn, mund t’ju them se të gjitha institucionet e BE-së janë unanime në mbështetjen e Kosovës për liberalizimin e vizave”, deklaroi Hoxhaj në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Hoxhaj tha se pjesa më e rëndësishme e këtij raporti është njohja që i bëhet plotësimit të kritereve për liberalizim, ndonëse procesi i liberalizimit është i ndarë nga pjesa e raportit për shtetin.

Hoxhaj po ashtu tha se një raport shtesë do të hartohet nga delegacioni vlerësues i Komisionit Evropian, i cili do të vijë në Kosovë në fillim të muajit maj.


Sejdiu kërkon që Raporti të përkthehet në gjuhën shqipe

13:45 - Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur Dardan Sejdiu tha sot se diskutimi sot, ka një mungesë të theksuar të informacionit për të gjithë.

“Po më duket që sot po e zbatojmë atë që ne ekonomi njihet si asimetri e informatave. Pra ka deputetë që kanë pasur mundësi ta lexojnë raportin për vendin, meqë e dinë gjuhën angleze. dhe ka të tjerë që duhet të prresin datën 26 , meqë qeverisë i duhen 10 ditë apo më shumë, për të përkthyer një raport dhjetë faqesh. Në kësi lloj situate mendoj që nuk i bëjmë nder diskutimit mbi të gjeturat e raportit për vendin. Në fakt ka shumë prej nesh që janë ekspert të fushës por në mungesë të dijës së gjuhës angleze, nuk mund të shpërfaqin qoftë kritika qoftë rekomandimet sa i përket rrugës përpara”, tha Sejdiu .

Sipas tij këtu ka deputet që do të qëndrojnë në sallë, do të dëgjojnë për raportimin telegrafik të dikujt që e ka lexuar raportin, qoftë për kritikë qoftë për lëvdatë.

“ Dhe në fund fare një numër krejt i vogël i joni, do të thotë se ka diskutuar për raportin e progresit. Në fakt raportin për vendin sepse s’është më raport i progresit. Për neve si GP të iu them të drejtën ka edhe deputetë që nuk e kanë lexu, sepse nuk e dinë gjuhen angleze dhe po besoj se në secilin GP ka deputetë të tillë, që se dinë gjuhën angleze dhe rrjedhimisht nuk kanë mundur ta lexojnë raportin. Në këto rrethana në këtë asimetri të informatave e zhvlerësojmë diskutimin për raportin”, tha Sejdiu.


Kuçi: Pse kaq nguti për shqyrtimin e Raportit të Progresit

13:25 - Blerim Kuçi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se me thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për raportin e progresit për Kosovën është shkelur rregullorja e Kuvendit të Kosovës, pasi kërkesa për një seancë të tillë duhet të përmbajë arsyetimin pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme.

Ai gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se ta që kanë thirrur këtë seancë njëkohësisht e kanë shkelur rregulloren, sepse në materialin e thirrjes nuk është dhënë arsyetimi për mbajtjen e kësaj seance të jashtëzakonshme.

“E para, ka të bëjë me mos përkthimin e materialit në gjuhen shqipe dhe propozoj që kjo seancë të jetë e anglisht folësve. Të gjithë ata që dinë anglisht ose e konsiderojnë veten që dinë anglisht le të rrinë në këtë seancë. Kurse e dyta për çështjen e jashtëzakonshme. Qenka shumë e jashtëzakonshme. E pyeta njërën prej kolegeve që e ka nënshkruar këtë ftesë për seancë të jashtëzakonshme. I thash a mundesh me na ndihmuar diçka. Pse e keni thirr këtë seancë të jashtëzakonshme? Në anglishten tënde pse është thirr. Tha ka regres, jo progres. O i thashë më trego për çka e ke thirr seancën e jashtëzakonshme. A po do nesër me na ra Rusia. A turku do me hy nesër në Kosovë? A UFO do me sulmuar Kosovën? Çka ka të bëjë me seancë të jashtëzakonshme?! Më vonë e mora vesh se edhe ai i shkreti që ka nënshkruar, edhe ai s’po dike anglisht sikur unë. Ai i shkreti na ka thirr në këtë seancë, e ne të mjerët kemi ardhur në këtë seancë. Por unë nuk jam i mjerë dhe nuk rri në këtë seancë”, ka thënë deputeti Kuçi.


Konjufca: Raporti i Progresit alarm për të gjithë ne

13:20 - Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se gjatë leximit të këtij raporti ka hasur në dy fjalët më të përdorur në gjuhën angleze, termi ‘early stage’ do të thotë janë hapat e parë të tyre dhe termi i dytë ‘weak’, i dobët dhe përdoret për shumë fusha në Kosovë, duke filluar prej arsimit e deri tek mbikëqyrja që e ka Parlamenti mbi Qeverinë.

“Këto dy terme janë më të përdorura në raportin e progresit dhe kjo duhet të na shqetësojë shumë. Unë kam arritur t’i nxjerr 22 përfundime shumë të rëndësishme e që dua ti ndaj me ju. Sistemi gjyqësor është në fazë të hershme, pra ‘early stage’. Vet sistemi i drejtësisë karakterizohet në hapat e tij të parë. Institucionet e gjyqësorit ende mbeten të cenueshme nga ndikimi politik”, ka thënë Konjufca.

“Termi anglisht që përdoret është ‘politicial influence’ dhe kapacitetet e gjyqësorit nuk qëndrojnë mirë, çka do të thotë kjo. Kjo është me të vërtetë e tmerrshme. Sepse ne kemi sistem të drejtësisë që 17 vjet. Pas 17 viteve që ke filluar me ndërtuar sistem të drejtësisë, me të ardh një raport i vlerësimit të BE-së që thotë se je duke i hedhur hapat e parë, kjo do të kishte qenë deri diku e pranueshme në vitin 2004. Por në vitin 2018, kjo është me të vërtetë e papranueshme dhe duhet të jetë një lloj alarmi i cili duhet të na vejë në lëvizje të gjithëve”, tha Konjufca.


Deliu: Raporti i Progresit i arsyeshëm dhe objektiv

13:03 - Deputetja e PDK-së Blerta Deliu se kjo seancë po mbahet pa u shqyrtuar mirë raporti në fjalë.

“Pasi që ne ende nuk e kemi përkthimin zyrtarë të këtij raporti tejet të rëndësishëm dhe besoj se deputete në këtë fazë nuk kanë arritur ta shqyrtojnë mirë këtë raport vendin. Prandaj unë kam pritur që të mos ketë nguti për një raport të tillë ta trajtojnë si duhet deputetët dhe t’i prekin fushat specifike që ata kanë. Pastaj të ftohet seanca e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.

Sipas saj raporti për vendin është i arsyeshëm mjaft objektiv, që paraqet pasqyrën reale të progresit të vendit gjatë dy viteve të fundit, periudhë kjo që e mbulon ky raport.

Deliu tha se Komisioni Evropian konfirmon dhe njëherë përkushtimin e vazhdueshëm për të ardhmen evropiane të vendit e po ashtu sikurse strategjia e zgjerimit të BE-së flet saktësisht për perspektivën e Kosovës në BE.

“Duke e saktësuar se tashmë se vendet anëtare të BE-së e pranojnë dhe e trajtojnë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran, përfshirë këtu dhe ato shtete të cilat ende nuk e kanë njohur republikën e Kosovës”, tha Deliu.


Hoti: I vetmi sukses që ka theksuar raporti është Demarkacioni

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së Avdullah Hoti duke folur në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për raportin e Progresit ka thënë se ky raport qartëson se Qeveria e Kosovës nga shtatori 2017 nuk ka dërguar asnjë sinjal bindës në Bruksel se është serioze t’i kryej obligimet që i ka shteti i Kosovës si rezultat i kësaj dalja e kosovarëve nga izolimi nuk ka ndodhur ende.

“Tek kriteret politike të këtij Raporti, derisa ai i vitit 2016 e përmend polarizimin mes qeverisë dhe opozitës, që është normale në fakt raporti i i fundit vë në dukje polarizimin brenda vet koalicionit qeverisës dhe brishtësinë e koalicionit, i cili tanimë ka humbur dhe shumicën e thjeshtë. Kjo brishtësi e ka mundësuar këtij koalicioni që të ndërtojë një konsensus të përgjithshëm për temat e rëndësisë nacionale në përputhje me agjendën evropiane”, tha Hoti.

Sipas tij raporti thekson tendencën për t’iu ikur obligimeve ndërkombëtare dhe i vetmi sukses që mbetet në këtë raport është ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi i cili u përmbush falë angazhimit të LDK-së .

Hoti tha se raporti thekson se Qeveria ka dështuar të adresojë rekomandimet e dhëna gjatë vitit 2016, që tregon një mungesë serioziteti përballë këtyre obligimeve ndërkombëtare.