Arbëri

Kush kujt ia vodhi propozimin për ligjin për referendum

Descriptive Text

21:23 - Procedimi i nismës për projektligjin për referendum nga Grupi i Deputetëve të Pavarur kishte nxitur reagime nga Vetëvendosje që kishte akuzuar ish-deputetët e saj për vjedhje.

Tani dy-ish bashkëpartiaket, Fitore Pacolli. që ka mbetur në VV. dhe Shqipe Pantina. që tash është në GDP, kanë dhënë sqarime të ndryshme për këtë situatë të krijuar.

Pacolli ka thënë se i gjithë drafti ishte punë e nisur në kohën kur ishin bashkë të gjithë në VV e më pas u vazhdua nën udhëheqjen e Albulena Haxhiut. Në anën tjetër, Pantina ka thënë se meritë për këtë draft ka pasur edhe Faton Topalli i GDP-së që e dërgoi këtë nismë në Kuvend.

“Ne edhe për interpelanca kur i dërgojmë dalim në konferencë dhe tregojmë se këto ditë do të dalim me nismë për interpelancë. Në të njëjtën mënyrë ka bërë edhe deputetja Albulena Haxhiu. Në konferencë ka thënë se të hënën do ta dërgojë këtë nismë në Kuvend, dhe ajo është dërguar menjëherë para se ta bëjë Albulena. Ai ka filluar në kohën sa ishim bashkë, por puna më e madhe u bë nga deputetja Haxhiu që doli edhe publikisht se tani do ta dërgojë në Kuvend. Deri sa ishim bashkë ai dokument ishte i draftuar deri në një pikë, ndërsa menjëherë pas ndarjes Albulena punoi në atë dokument me grupin punues brenda VV-së. Normalisht se ajo është autore”, ka deklaruar Pacolli në Rubikon të KTV-së.

Në anën tjetër, Pantina ka thënë se në atë draft kanë pasur gisht edhe deputetët e GDP-së.

“E para, nuk kemi praktikuar që t’i paralajmërojmë ditë apo javë më parë se çka kemi plan të bëjmë. E kemi dërguar direkt në Kuvend. Mendojmë se nuk kemi çka të bëjmë zhurmë, puna flet vet. E dyta, projektligji që po flitet është hartuar nga i njëjti që e ka proceduar në Kuvend edhe në kohën as ishim bashkë. Ai e ka krijuar grupin punues. Ai është hartuar nga një grup ekspertësh dhe përkthimin e kam bërë unë. Ka e-maila që unë u kam dërguar draftin anëtarëve me ndryshimet që kam bërë. Haxhiu ka qenë anëtare e grupit sepse ishte kryesuese e komisionit për legjislacion. Mandej mbeti në gjysmë dhe kemi thënë se kur kemi dalë nga VV-ja një pjesë të madhe të kontributit e kemi lënë aty, por kokat tona i kemi marrë me vete, njohurit ë e dijet. Do t’i shfrytëzojmë edhe tani e tutje për çdo politikë që do të jetë në interes të vendit”, është shprehur Pantina.


Pacolli i thotë Deliut se po shërben si zëdhënëse e Veselit

Image

21:10 - Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka deklaruar se deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, po shërben si zëdhënëse e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Këtë deklaratë, Pacolli e dha në Rubikon të KTV-së, pas përplasjes me Deliun lidhur me fyerjet që ka bërë së fundmi në Kuvend, kryetari i PDK-së.

Teksa Deliu akuzonte për deklarata të rrejshme dhe shpifje deputeten tjetër të VV-së, Drita Millaku, që së fundmi pati përplasje të ashpër me Veselin, Pacolli e pyeti Deliun se përse po e mbron Veselin, sikur të ishte zëdhënëse e tij.

“Jam anëtare e kryesisë së PDK-së dhe natyrisht që mbroj kryetarin, si dhe atë që është për t’u mbrojtur”, u përgjigj Deliu.


Pozita e opozita akuzojnë njëra-tjetrën për shmangie nga votimet

Image
Image

21:08 - Pozita dhe opozita kanë akuzuar njëra-tjetrën se po ikin nga votimet, vetëm që rivalët politikë të mos arrijnë t’i kalojnë propozimet në Kuvend.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në Rubikon të KTV-së, kanë akuzuar njëri-tjetrin për ikje nga votimi, duke e vlerësuar këtë si metodë të re në parlamentin e Kosovës.


Përplasjen për viza, Deliu e Pacolli e vazhdojnë në Rubikon

Image

20:26 - Pak ditë pas përplasjes për liberalizim të vizave, deputetet Fitore Pacolli nga Vetëvendosje dhe Blerta Deliu nga PDK-ja e kanë vazhduar debatin në Rubikon të KTV-së.

Të dyja kanë akuzuar njëra-tjetrën për manipulime dhe shpifje.

“Në bazë të asaj që kemi dëgjuar nga përfaqësuesi i BE-së, në raportin e tre ekspertëve, në bazë të Raportit të vendit dhe strategjisë së BE-së janë lëshuar disa vërejtje dhe kam thënë se unë konstatoj se nuk do të ketë liberalizim vizash sivjet”, ka thënë Pacolli, teksa Deliu ka thënë se kjo nuk ekziston dhe se Pacolli tash ka ndërruar fjalët.


Selmanaj: Qeveria e sheh veten të pafuqishme në raport me opozitën

Image

Sipas deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, qeveria po e sheh veten të pafuqishme në raport me opozitën.

Në Rubikon të KTV-së, në debatin për parlamentarizmin kosovar, Selmanaj ka thënë se pozita po implementon disa strategji për t’i ikur përballjes me opozitën.

“Karakteristikë e kësaj legjislature është se votë popullore më shumë ka në opozitë. Qeveria duke e parë veten të pafuqishme në raport me opozitën ka nisë të implementojë disa strategji. E para është që të shtyjë debatet parlamentare që të humbë relevanca e tyre, më pas është ikja nga pyetjet parlamentare dhe mosgatishmëria për përgjigje në komisionet parlamentare kur ftohen ministrat. Kjo tregon se qeveria ka intencë të tërheqjes e të mos përballet me opozitën”, ka deklaruar Selmanaj.