Arbëri

Pas 12 vjetësh kupton se nuk e kishte varrosur të plotë trupin e të atit të zhdukur në luftë

Ngadhënjim Bicurri në vitin 2006 kishte mbyllur një pjesë të dhimbjes kur mendoi se i dha lamtumirën e fundit babait të tij, Feratit.

Por, 12 vjet më pas ai mori vesh se atë ditë kishte varrosur vetëm disa pjesë kockore të të atit, por jo edhe gjithë trupin e tij.

Të enjten, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, atij i është komunikuar se janë identifikuar edhe disa pjesë të tjera kockore.

Nesrete Kumnova, e cila e ka të zhdukur djalin e saj të vetëm Albionin dhe udhëheq me Shoqatën “Thirrjet e Nënave”, thotë se gjërat kanë marrë hov dhe Instituti duket se ka intensifikuar punët për të identifikuar mbetjet që qëndrojnë me vite në morgun e Prishtinës.

E, Ngadhënjim Bicurri nuk pajtohet me faktin se me rivarrimin që do t’i bëjë të atit, do t’i ndërrohet edhe certifikata e vdekjes dhe e pengon fakti se nuk e di historinë se si i vdiq i ati, pasi ende i mungon koka.

Sidoqoftë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk janë të sigurt se pas këtyre gjetjeve familjarët mund të jenë të qetë.

Kjo, pasi sipas tyre, derisa një trup të mos kompletohet në tërësi, gjithmonë ekziston mundësia e gjetjeve të pjesëve të tjera kockore dhe sipas ligjit, ata janë të detyruar t’i njoftojnë familjet.

Mbetjet kockore të 12 personave nga Gjakova janë sjellë nga Batajnica në qershorin e 2006-s dhe vetëm tani ka arritur të bëhet identifikimi i tyre.

10 familje të kontaktuara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore janë dakorduar për tërheqjen e mbetjeve nga atje, derisa 2 të tjera kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së IML-së, për marrjen e mbetjeve mortore.

Ndërkohë, ekspertët mjeko-ligjorë janë duke bërë gërmime për gjetjen e varreve masive në dalje të Gjakovës në afërsi të ish-ndërmarrjes “Metaliku”.