Arbëri

Deputetët që hodhën gaz lotsjellës nuk mund të votojnë për ligjin që do t’i amnistonte ata

Zvogëlohen shanset që deputetët e Kuvendit të amnistohen nga ndjekja dhe dënimet për hedhjen e gazit lotsjellës.

Kjo meqë për ta kaluar këtë ligj duhen dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, por ata që kanë kryer këtë vepër nuk do të mund ta votojnë ligjin, meqë përbën konflikt interesi, raporton KTV.

Kjo është përgjigjja që AKK-ja i ka kthyer deputetes, Albulena Haxhiu.

Vetë Haxhiu, që është dënuar me 1 vit e tre muaj burgim me kusht për veprën e njëjtë, thotë se kurdo që ky Projektligj do të sillet në Kuvend ata do t’i shmangen debatit dhe nuk do të votojnë.

Por, iniciuesi i këtij Projektligji, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se deputetët janë të pavarur në vendimet e tyre.

Ai tha se kjo amnisti duhet të ndodhë, meqë verimet e deputetëve në Kuvend kanë qenë politike.

Por, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, thotë se Prokuroria do të duhej të hiqte dorë komplet nga hetimi dhe aktakuza ndaj tyre. Sipas saj, veçanërisht janë përndjekur deputetët e VV-së.

Përveç Haxhiut, me burgim me kusht në fillimin e këtij viti janë dënuar edhe Albin Kurti, Faton Topalli e Donika Kadaj-Bujupi.

Ndërkohë, në katër grupe parlamentare aktuale ka deputetë që kanë hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit.

Kundër amnistisë së deputetëve për hedhjen e gazit lotsjellës është Ministria e Drejtësisë. Madje, vetë ministri ka dhënë opinion negativ për këtë nismë, duke e quajtur precedentë të rrezikshëm.