Arbëri

Hajrullahu thotë se në Raportin e KE-së flitet për një Kuvend disfunksional

Raporti i Progresit i cili u shpalos në vendin tonë, Arben Hajrullahu tha se duhet të quhet Raporti i KE-së, dhe Kosovën e dokumenton me gjithçka që ka ndodhur nga raporti paraprak, ai i vitit 2016, si pasqyrë e mirë për të bërat e pabërat 2 vjeçare në Kosovë.

Arben Hajrullahu, i ftuar në Express Intervistën në KTV, tha se në këtë raport, shpeshherë është përdorur gjuhë teknokratike, që tregon në cilat fusha kemi pasur ngecje.

“Si për të gjitha vendet e Ballkanit, përdoret një gjuhë më eksplicite e e drejtpërdrejtë. Pra, as Kosova S’është në përjashtim. Flitet edhe për sistemin e gjyqësorit, ekonominë, marrëdhëniet me Serbinë dhe çështje të edukimit”, tha ai.

Hajrullahu tha se BE-ja nuk ka qëndrim unik lidhur me sovranitetin e Kosovës.

“Ne duhet përfundimisht t’i marrin seriozisht rekomandimet e tyre, e këtë ta bëjmë vetëm për hir të vetes që tentojmë të arrijmë zhvillim të qëndrueshëm”, tha ai.

Sipas tij, në Raportin e Progresit kur bëhet fjalë për Kuvendin e Kosovës, thuhet se kemi një Kuvend jo edhe aq funksional, përmendet edhe dhuna e polarizimet që kanë ndodhur.

Në Raportin e Progresit, ai tha se flitet për një Kuvend disfunksional, dhe se do të ishte mirë të kishte një Kuvend me përbërje tjetër.

“Nëse e shikojmë në aspektin financiar se kush janë ata njerëz që e përfaqësojnë popullin, prapë kemi një disproporcion”, shtoi tutje.

Në Raportin e Progresit, thuhet se është bërë pak punë në luftën kundër korrupsionit,

“BE-ja kërkon fjalën përfundimtare nga gjyqësori i Kosovës. Nuk mjafton të thuhet se po tentohet të bëhet diçka në këtë aspekt. Çështja e trajtimit të aferave korruptive e gjitha fushat tjera që janë të lidhura me korrupsionin, duhet me të vërtetë të luftohen, por ne kemi të bëjmë me praktika që punësohen njerëz në bazë të jomeritokracisë”, tha ai.

Sipas të gjitha gjasave, sipas Hajrullahut, pala kosovare do të sillet kinse po lufton korrupsionin, dhe në fund Kosova do liberalizojë vizat.

Por, edhe nëse liberalizohen vizat, sipas tij, do të ketë edhe probleme tjera të shumta që nuk do të ishin për t’u krenuar.

“Klasat e korruptuara kanë filluar të shqetësohen që BE-ja po vë kushte, atëherë këta po tentojnë ta reflektojnë mbi popullin”, tha ai.

Ai tha se Raporti i Progresit ka përfshirë shumë gjëra “jo dhe aq pozitive” që kanë ndodhur në Kosovë.