Arbëri

Prokuroria, dy vjet pa aktvendim për hetimin e faljes së katër hidrocentraleve

Descriptive Text

Ministra e ish-ministra përgjegjës për faljen e katër hidrocentraleve nuk janë ende nën hetime. Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Bedri Hamza dhe Nenad Rashiq janë ish-ministrat që gjashtë vjet më parë kanë firmosur faljen e këtyre hidrocentraleve.

Tre prej tyre edhe në Qeverinë Haradinaj ushtrojnë funksionin e njëjtë. Dhe asnjëri prej të pestëve nuk është zyrtarisht i dyshuar për këtë rast, shkruan sot Koha Ditore.

Me shumë se dy vjet pasi “Koha Ditore” kishte zbuluar skandalin e faljes së katër hidrocentraleve kompanisë turke, që para pesë vjetësh e ka blerë distribucionin e energjisë, Prokuroria e Shtetit ka afro 25 muaj që është në fazën e mbledhjes së informatave. Në Kodin e Procedurës Penale ky “aktivitet” vlerësohet si fazë parapenale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) është duke mbledhur informata e nevojshme, janë intervistuar disa persona dhe ende kemi për të intervistuar. Për momentin nuk mund të japim informata të tjera pasi që jemi në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë se Shtetit në lidhje me këtë çështje. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).