Arbëri

Haxhiu: LDK-ja e njëjtë si PDK-ja e AAK-ja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj kërkesës që Lidhja Demokratike e Kosovës kishte bërë në seancën e djeshme për shkarkimin e të gjithë ministrave që kanë aktakuza të ngritura për korrupsion.

“Seancën e djeshme, LDK e nisi me kërkesën që ata ministra që kanë aktakuza për korrupsion, të shkarkohen! Shumë mirë!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në rrjetin social ”Facebook”.

Haxhiu ka përmendur faktin se sot Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër Haki Rugovës, kryetarit të Istogut, e që sipas saj tregon tashmë që LDK ka dy kryetarë komunash që kanë aktakuza për korrupsion.

“Këto aktakuzat për korrupsion, ndaj zyrtarëve të PDK, LDK, AAK etj, dëshmojnë që këto parti nuk dallojnë fare nga tjetra!”, ka thënë ajo.

“Shfrytëzimi i pushtetit për pasurim të vetes e familjarëve të tyre, është prioritet i tyre. Andaj këta nuk e luftojnë korrupsionin!”, ka përfunduar Haxhiu postimin e saj në Facebook.