Wesley K. Clark: “Veproni, mos prisni që Ballkani të shpërthejë sërish”

Wesley K. Clark: “Veproni, mos prisni që Ballkani të shpërthejë sërish”

17 prill 2018 21:39

Wesley K. Clark – Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur punova me Richard Holbrooke dhe me ekipin tim për të negociuar mbylljen e luftës në Bosnje. NATO vendosi dhe më pas veproi për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë.

Sot, katër vende ballkanike janë bashkuar në NATO, (Kroacia, Shqipëria, Sllovenia dhe Mali i Zi). Kroacia dhe Sllovenia janë anëtarësuar edhe në BE. Kosova është tashmë një komb i pavarur. Shumica e amerikanëve dhe europianëve e quajnë atë konflikt problem të zgjidhur, transmeton tch shkrimin e gjeneralit Wesley K.Clark.

Fatkeqësisht, kjo nuk është aspak e vërtetë. Konfliktet politike të natyrës etnike dhe fetare në këto vende mbeten rreziqe që mund të kthehen në kriza kombëtare dhe fetare, duke e shndërruar zonën në shënjestër kryesore për ndërhyrjet nga fuqitë e huaja. Përzierja e rrezikshme e qeverive të dobëta dhe zhvillimit të ulët ekonomik me institucionet e dobëta demokratike ka krijuar një pakicë të vogël, por domethënëse, që mund të rekrutohet nga xhihadistë të dhunshëm. E gjitha kjo lë hapur mundësitë që rajoni të shfrytëzohet nga organizata terroriste dhe të ketë ndërhyrje nga shtete të huaja, që nga Rusia e deri te Kina e Turqia.

Për më keq, rajoni vuan edhe nga neglizhenca që vjen prej demokracive që i sollën fundin luftërave jugosllave. Me besimin që e ardhmja demokratike e Ballkanit është në BE, SHBA-të ia kanë kaluar shpesh Brukselit përgjegjësitë për zhvillimin politik, institucional dhe ekonomik të rajonit. Megjithatë, inercia politike brenda BE-së e ka mbajtur Bosnjen, Serbinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë në pritje të gjatë. Ndërkohë që SHBA-të dhe Europa flenë, fuqi të tjera po shtojnë vëmendjen.

Kremlini e ka shtuar ndikimin vazhdimisht. Rusët po punojnë për të mbjellë ndjenja kundër BE-së dhe NATO-s. Mbështetin grupe ekstremiste (një prej të cilëve po hetohet në Bosnje për veprimtari paraushtarake), dhe po japin ndihma ushtarake aty ku kanë interes. Kremlini u ka hedhur benzinë flakëve të ndasive etnike nëpërmjet fushatave dizinformuese që fryjnë të krishterët kundër myslimanëve, me qëllim për të ringjallur tensionet që shkaktuan luftërat jugosllave në vitet 90.

Turqia dhe vendet e Gjirit Persik, në anën tjetër, kanë investuar gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Turqia është investuesi i tretë më i madh në Bosnje dhe kreu i partisë kryesore në vendin me shumicë myslimane udhëton rregullisht në Stamboll për të bërë foto me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdoganin, që sa vjen e bëhet gjithnjë e më autoritar.

Arabia saudite dhe fqinjët e tyre në Gjirin Persik i kanë përqendruar kontributet në mbështetje të organizatave fetare, duke ndërtuar xhami të reja e duke ofruar udhëzime fetare për imamët vendas. Interpretimi i rreptë vahabist që është shpesh baza e trajnimeve të tyre ka shumë pak ngjashmëri me traditat e moderuara që janë ushtruar në Ballkan prej shekujsh, gjë që është lidhur me rritjen e ekstremizmit në rajon.

Mendohet se në Shtetin Islamik të Sirisë dhe Irakut kanë luftuar rreth 1000 luftëtarë nga Bosnja dhe Kosova. Edhe pse numri i luftëtarëve nga Ballkani sa vjen e po ulet, mjediset në të cilat këta individë janë radikalizuar, dhe aftësia për rekrutim mes segmenteve të pakënaqura të  popullsisë vazhdon të jetë shqetësim. Një sfidë edhe më e madhe është problemi i ri-integrimit të luftëtarëve të kthyer.

Kina, po ashtu, është përpjekur ta shtojë praninë në rajon. Pekini vazhdon projektin “Një brez, një rrugë”, për të cilin është gati të ofrojë investime masive për projekte infrastrukturore që nevojiten aq shumë në Ballkan. Por siç kemi parë dhe në Afrikë, investime të tilla kanë pothuajse gjithnjë qëllime të dyta.

SHBA-të dhe Europa duhet të ruajnë angazhimin në Ballkan duke forcuar institucionet demokratike në mënyrë që qeveritë të punojnë për nevojat e qytetarëve.

Një zonë e lirë ekonomike për Ballkanin Perëndimor, që është propozuar kohët e fundit nga udhëheqësit rajonalë, mund të jetë hap në drejtimin e duhur. Por kjo nismë nuk duhet parë si zëvendësim i garancive të mundshme që ofrohen nga NATO dhe BE. Një plan serioz për anëtarësimin në BE do t’u jepte vendeve të rajonit shtytjen e duhur për të kryer reforma ekonomike dhe politike, do të rriste bashkëpunimin mes tyre dhe do t’i adresohej tensioneve ndëretnike që janë gjithnjë e në rritje.

Sigurisht që përpjekje të tilla do të kërkonin mbështetje popullore, gjë që është sfidë e madhe në një rajon ku popullsia ka ndasi të mëdha për sa i përket institucioneve si NATO.

Megjithatë, një sondazh i mbajtur kohët e fundit tregoi se boshnjakët me origjinë serbe, kroate e myslimane, edhe pse nuk bien dakord për shumë gjëra, bashkohen të gjithë në kundërshtimin ndaj Shtetit Islamik, si dhe me dëshirën për të zgjidhur problemet ekonomike. Anëtarësimi në NATO do t’i joshte më lehtë serbët e rajonit, të cilët kanë prirje të jenë pro Rusisë dhe kundër NATO-s, nëse anëtarësimi do të përshkruhej si një ndihmesë e madhe për stabilitetin në rajon.

Ne mund të sigurohemi që miliardat e taksapaguesve që kemi investuar në këtë rajon nuk kanë shkuar kot, e këtë mund ta bëjmë duke mbështetur punën e atyre që zbatojnë zhvillimet demokratike, si Instituti Demokratik Kombëtar dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar. E kemi parë rëndësinë e kësaj pune me nisma si Task Forca Kundër Terrorizmit, e ngritur kohët e fundit për të ndihmuar ligjvënësit në Bosnje që të përshtaten me sfidën e vazhdueshme të ekstremizmit të dhunshëm.

Kemi shumë mjete në dispozicion për të shmangur destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Le të sigurohemi që të mos e çojmë dëm investimin e madh që kemi bërë në të gjithë rajonin dhe të ripërtërijmë angazhimin tonë për të ndihmuar demokracitë e brishta që ta arrijnë potencialin maksimal.

Washington Post, nga Gjenerali Wesley K. Clark, ish komandanti suprem i NATO-s gjatë luftërave në Ballkan.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme