Arbëri

BKT-ja ua mbyll llogaritë “gylenistëve”, punonjës të “Mehmet Akifit”

Punonjësve të Kolegjit “Mehmet Akif” do t’u mbyllen llogaritë bankare nga Banka Kombëtare Tregtare.

Mëngjesin e së martës punëtorët e këtij institucioni arsimor, pranuan njoftimin nga kjo bankë private, ku thuhet se llogaria bankare do t’iu mbyllet brenda 30 ditësh, raporton KTV.

Për këtë problem, drejtuesit e kolegjit “Mehmet Akif” janë takuar me zyrtarët e kësaj banke private në Prishtinë.

Ata nuk pranuar të flasin para kamerës për këtë vendim, por kanë thënë se do të japin një përgjigje gjatë ditës.

Për arsyet e mbylljes së llogarive bankare të të punësuarve në Kolegjin “Mehmet Akif”, BKT-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së.

Që nga viti 2009 kjo bankë operon në Kosovë me 100 për qind të aksioneve nga Çalik Finance Services, pjesë e kompanisë Çalik Holding, e cila është pronare edhe e KEDS-it.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga institucioni që rregullon sistemin bankar në vend, Banka Qendrore e Kosovës.

Përmes një përgjigjeje elektronike, BQK-ja thotë se do të dalë me një qëndrim gjatë ditëve në vijim.

Njoftimi për mbylljen e llogarive bankare të të punësuarve të këtij kolegji, vjen pas gati tri javësh të dëbimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi.