Arbëri

Përplasje në Kuvend për milionat e UÇK-së

Me përplasje me fjalë mes deputetit Xhavit Haliti dhe atij të LDK-së, Anton Quni, ka nisur seanca e Kuvendit të martën.

Kryesuesi Haliti ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit, për t’iu kundërpërgjigjur Qunit, i cili në një emision televiziv kishte deklaruar se Haliti ka marrë 8 milionë marka nga Ahmet Krasniqi për UÇK-në, raporton KTV.

Haliti ka kërkuar fakte për këtë, duke thënë se do të dorëhiqet nëse vërtetohet një gjë e tillë.

Por, menjëherë ka reaguar deputeti i LDK-së, i cili ka thënë se do të publikojë në detaje shifrën e gjithçka tjetër lidhur me ngjarjet e luftës.

Debati në Kuvend për luftën ka vazhduar mes deputetëve të opozitës e pozitës, gjatë kohës kur shqyrtohej raporti i punës së KOSTT-it.

Disa nga deputetët e koalicionit qeverisës u vonuan në seancë, pasi ishin për homazhe në Poklek, por deputetët e LDK-së akuzuan se këtë po e bëjnë vetëm për përfitime politike.

Ndërkohë, Kuvendi në këtë seancë miratoi formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Në pjesën e parë të kësaj seance me shumicë votash janë miratuar edhe nëntë emrat për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ndërsa, Kuvendi ka zgjedhur edhe dy anëtarët e Komisionit të Pavarur për Media, Viloeta Kelmendi dhe Maja Sllaviq, derisa anëtari i tretë që duhet të jetë i një komuniteti tjetër, nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme.

Pikë e rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, por asnjëri nga dy kandidatët Arbër Hadri e Driton Mulaj nuk morën votat e mjaftueshme.