Arbëri

​Kuvendi pa kuorum për të votuar rekomandimet për shëndetësi – seanca vazhdon nesër

21:54 - Iniciuesja e interpelancës së ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, deputetja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, pas përfundimit të debatit mbi sistemin e shëndetësisë në Kosovë, ka lexuar rekomandimet e paraqitura nga grupi iniciues i interpelancës, raporton KP.

Rekomandimet:

Qeveria e Kosovës të fillojë me funksionalizimin dhe shtrirjen e plotë të sistemit informativ shëndetësor dhe të bëjë publik kalendarin e aktiviteteve.

Qeveria e Kosovës të implementojë të 22 masat e rekomanduara nga raporti i auditorit.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë të hartojnë dhe të përgatisin parakushtet për sistemin informativ shëndetësor, ku përfshihen lisat e shërbimeve të sistemit shëndetësor në Kosovë në institucionet publike dhe ato private.

Rishikimi i Ligjit për sigurime shëndetësore i parashikuar në programin legjislativ për në qershor të vitit 2018.

Kuvendi i Kosovës t’i kërkojë Bankës Qendrore të Kosovës të paraqes jo më vonë se 60 ditë pune raport të detajuar mbi financat dhe operacionet e kompanive të sigurimit të licencuara, të cilat ofrojnë sigurimet private shëndetësore.

Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në raportin e përformancës të auditorit të përgjithshëm, të adresojë në institucionet e drejtësisë rastet e shkeljeve dhe të dëmit financiar nga mos implementimi me kohë i projektit të Sistemit Informativ Shëndetësor.

Por, për shkak të mungesës së kuorumit, rekomandimet nuk u hedhën në votim, kurse seanca ndërpreu punimet për të vazhduar nesër në ora 11:00.


Zeka i quan budallenj gazetarët që fotografojnë pacientët në emergjencë

20:08 - Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se shëndetësia do të jetë gjithmonë problem në Kosovë pasi mjekët, sipas tij, nuk kanë haber në punën e menaxhimit.

Zeka ka sugjeruar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli që të trajnojë mjekët dhe motrat medicinale për mënyrën e komunikimit me gazetarë, ku këta të fundit i ka quajtur ‘budallenj që fotografojnë pacientët në emergjencë’.

“Është shumë me vlerë dhe respektim i së drejtës elementare të një pacienti nëse MSH i trajnon mjekët dhe motrat medicinale për mënyrën e komunikimit me gazetarë. Jemi i vetmi vend në kontinentin evropian ku gazetari hyn në emergjencë dhe e incizon pacientin e përgjakur, e fotografon në sallën e operacionit. Kjo është edhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut edhe budallallëk i gazetarëve e mungesë totale e profesionalizmit të tyre, por ne budallain duhet ndal, nuk duhet me ia hap derën e emergjencës e me hi ai me fotografu një aksident e me pa fëmija babën ose nënën duke iu bërë operacion ose që ne shpeshherë lexojmë rreth diagnozës së pacientëve”, tha deputeti Zeka, raporton KP.


Baftiu: Mungesa e sigurimeve po i kushton buxhetit të Kosovës

19:37 - Deputetja Besa Baftiu, nga Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se mungesa e sigurimeve shëndetësore është një padrejtësi e madhe që po i bëhet qytetarëve për shkak të paaftësisë, papërgjegjësisë si dhe keqmenaxhimit që po i bëhet sektorit të shëndetësisë tash e sa vite.

Ajo tha se mungesa e sigurimeve shëndetësore po ju kushton jo vetëm qytetarëve të vendit, por edhe buxhetit të Kosovës, pasi që sipas saj për çdo vit ndahen miliona euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike.

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore po ju kushton jo vetëm qytetarëve tanë, por edhe buxhetit të Republikës së Kosovës, për çdo vit ndahen miliona euro për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike. Po ashtu, janë dhënë miliona euro si nga buxheti po ashtu edhe nga donatorët për implementimin e sistemit informativ shëndetësor, por sot ky sistem është në fazën e parë, gjë të cilën na e argumentoi edhe raporti kombëtar i auditimit për efikasitetin dhe efektivitetin e SISH-it. Në këtë raport thuhet se ka pasur keq menaxhim, nuk ka pasur koordinim në mes të ministrisë së Shëndetësisë dhe palëve përgjegjëse, në këtë projekt ka pasur edhe keq menaxhim dhe keq përdorim të mjeteve financiare, nuk është punuar sipas planit të veprimit për implementimin e SISH-it të publikuar me strategjinë sektoriale për sistemin informativ shëndetësor 2010-2020, ku sipas këtij plani SISH-it do të ishte në fazën përfundimtar e”, tha ajo.


Avdyli: Gjendja në shëndetësi, pasojë e mos seriozitetit tonë

19:35 - Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen e krijuar në shëndetësi, duke thënë se në këto 15 vite i ka munguar prioriteti këtij sektori duke bërë kështu të humbë hapin në ngritjen e një sistemi funksional shëndetësor.

Sipas tij, me financimin me të ulët në shëndetësi është e pamundshme të ofrohet shërbime shëndetësore të mira.

“Reforma shëndetësore ka ngecur, edhe sot jemi i vetmi vend pa sigurime shëndetësore dhe jemi jo vetëm me mungesë të sigurimeve shëndetësore, por jemi edhe vendi me nivelin me të ulët të financimit në shëndetësi. Sot gjendja në shëndetësi është e keqe, si pasoj e shumë mungesave, duke filluar nga mungesa e barnave nga më baziket, si shiringat, e deri të mungesat mujore të insulinave, citostatikëve e tjera. Reforma e filluar e cila do të parashikonte implementimin e pagesës nga buxheti në sigurime ka ngecur dhe afati po shtyhet edhe me tutje, si pasoj e mos gatishmërisë dhe mos serioziteti tonë për t’u marrë me këtë reformë”, theksoi Avdyli, raporton KP.

Ai ka kërkuar rritjen e buxhetit për shëndetësinë, granteve të komunave për shëndetësi dhe bashkëpunimin për sigurimet shëndetësore. Sipas tij, para se të fillohet me sigurimet shëndetësore, duhet të bëhet riorganizimi i Ministrisë së Shëndetësisë.


Sveçla: Gjendja në shëndetësinë e Kosovës është jashtëzakonisht e keqe

19:34 - Në emër të grupit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla tha se gjendja në shëndetësinë e Kosovës është jashtëzakonisht e keqe dhe sipas tij këtë më së miri e dëshmon që figurat politike kërkojnë shërim jashtë vendit duke anashkaluar atë të Kosovës.

Ai tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që sistemi shëndetësor dhe shëndetësia në përgjithësi të vendoset në prioritet të parë për këtë Qeveri.

Sipas tij, të gjitha qeveritë shëndetësinë nuk e kanë pas prioritet dhe e kanë parë si një shancë për të zhvatur disa pare këtu aty, apo për të rehatuar familjarë apo militant familjar, raporton KP.

“Se sa jo serioze ka qenë puna e deritanishme për SISH-in, ndër të tjera dëshmohet edhe me faktin se nga buxheti i dedikuar për të 24 për qind e pagesave të bëra nuk kanë të bëjnë asgjë me SISH-in, por si për shembull rasti i renovimit e sanimit të ashensorëve të QKUK-së. Në të njëjtën kohë ka munguar mbështetja me staf që është planifikuar me planin e veprimit në emër të vetë kufizimeve buxhetore, kjo vetëm sa dëshmon që në rastin më të mirë ka munguar trajtimi i SISH-it si prioritet. Prandaj, kjo edhe duhet të ndërpritet dhe ne ju ftojmë votoni rekomandimet tona në mënyrë që të fillojmë me reforma të thella në shëndetësi drejt përmirësimit të gjendjes së saj. Sa më parë do të jetë më mirë, më lirë dhe çka do të jetë më me rëndësi më pak vuajtje të qytetarëve tanë çoftë si pacient, çoftë familjarë të tyre”, tha ai.


Brovina: Edhe pa SISH-in mund të realizohen sigurimet shëndetësore

19:33 - Deputetja e PDK-së, Flora Brovina theksoi se nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se SISH-i nuk ka qenë funksional.

Megjithatë, ajo ka shprehur optimizmin e saj se me punët që ka filluar t’i ndërmarr ministri i ri, do të ketë lëvizje në këtë drejtim.

“Fatkeqësisht auditimi vërteton se SISH-i nuk ka qenë plotësisht funksional dhe nuk ka qenë plotësisht efektiv në planin e implementimit deri në vitin 2014. Deri në 30 për qind të përfshirjes nuk ka arritur të implementohet. Kjo ngecje ka shkaktuar edhe mos zhvillimin e implementimit të SISH-it të fondit të sigurimeve shëndetësore, që do të thotë që ka munguar parakushti për funksionimin e këtij projekti”, tha ajo, raporton KP.

Brovina tha se mungesa e SISH-it nuk është pengesë për realizimin e sigurimeve shëndetësore, pasi mund të fillojnë me sigurimin e fondit, ose edhe vet Qeveria të ndajë mjete për fondin sepse kështu është vepruar edhe tek shtetet tjera.

Mirëpo, sipas deputetes Brovina, sigurimet shëndetësore nuk mund të jepen pa pasur protokolle. Por sipas saj, nëse presin deri në përfundim të protokolleve, atëherë mund të vonohen në sigurimin shëndetësor.


Ismajli e pranon se ka pasur të meta në implementimin e SISH-it

18:42 - Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se Sistemi Informativ Shëndetësor, i cili ka nisur para shtatë viteve, ende nuk është implementuar në 30 për qindëshin e paraparë.

Ai gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës tha se ministria që ai drejton ka nisur projektin për implementimin e SISH-it në vitin 2011 dhe ai është paraparë të kryhet në tri faza, ku në dy fazat e para përfshihej implementimi dhe pilotimin e sistemit në 30 për qind të vendit dhe kjo është paraparë deri në fund të vitit 2014.

“Faza e tretë që përfshinë implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit parashihej të përfundoj në vitin 2020. Asnjërën fazë të këtij projekti unë s’e kam gjetur të realizuar plotësisht ashtu siç ishte e planifikuar me dokumente strategjike. Në 5 institucione ku është shtrirë SISH-i është konstatuar se vetëm 39 e pacientëve janë evidentuar në sistemin informativ, pra një përqindje e ulët. Natyrisht nuk duhet të hedhet gurë e baltë mbi projektin, ka pasur të mira, fakti i mirë ka qenë që është iniciuar si ide, janë bërë dokumentet strategjike, janë bërë përpjekje që të arrihet, mirëpo raporti i bërë nga zyra e auditorit na ka treguar se ky projekt ka pasur shumë të meta”, tha Ismajli, raporton KP.

Ai shtoi se Këshilli Nacional i SISH-it do të ketë para vetes edhe një dokument shumë të rëndësishëm, pasi gjatë kësaj kohe MSH-ja ka arritur të hartojë një plan, i cili parasheh që brenda 18 muajve të realizohet implementimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në tërë Kosovën.

Ismajli tha se gjatë këtyre muajve parashihet qartë të gjitha aktivitet që duhet përfunduar.


Kollçaku: Kosova, i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka akuzuar të gjitha qeveritë e deritashme për mos implementimin e ligjeve bazike për qytetarët, siç është ai për sigurimet shëndetësore. Sipas saj, tash e 15 vjet është dashur të ishte ligji për sigurimet shëndetësore dhe të implementohej.

Këto komente ajo i bëri në interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli, të thirrur nga LVV-ja, për Sistemin informativ dhe sigurimet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore publike, situata e mjekimit adekuat e pacientëve në Kosovë po vështirësohet nga dita në ditë në mungesë edhe të SISH-it edhe sigurimeve shëndetësore. Në kushtet kur Kosova është vendi më i varfët në regjion e Evropë, me jetëgjatësinë mesatare me të ulët, me investimin me të ulët në sektorin shëndetësor në raport me Bruto Produktin vendor, si dhe i vetmi vend në rajon pa sigurime shëndetësore. Qasja jo serioze dhe jo vetëm që nuk siguron të drejtën elementare për të marrë shërbime shëndetësore, që bënë pjesë në të drejtën themelore të njeriut, por varfëron akoma me shumë popullatën ashtu të varfër duke pasur parasysh impaktin në ekonominë e vendit”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo tha se sigurimet private që mbajnë monopolin aktualisht në mungesë të zbatimit të Ligjit për sigurime publike, abuzojnë në të shumtën e rasteve, ndoshta ka përjashtime, me ndërprerjen e kontratave me pacientët të cilët në vitin e ardhshëm duhet të vazhdojnë një kurim me të shtrenjtë.

Deputetja Kollçaku tha se në fund të debatit do të paraqesin një mocion duke harmonizuar me të gjitha grupet parlamentare, raporton KosovaPress.