Rektori pret studentët që me peticion kërkojnë kthimin e prorektores Pustina – Krasniqi

Rektori pret studentët që me peticion kërkojnë kthimin e prorektores Pustina – Krasniqi

16 prill 2018 23:53

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, sot i ka pritur dy të rinj, Sefer Zogajn dhe Egzon Osmanin.

Zogaj e Osmani e kanë hapur para tij çështjen e shkarkimit të prorektores, Teuta Pustina-Krasniqi, vetëm për shkak të një deklarate rreth kodit të veshjes së studenteve në universitet.

Pustina - Krasniqi ishte shprehur kategorikisht kundër çfarëdo forme të ngacmimeve seksuale nga ana e profesorëve, por kishte tërhequr vërejtjen se edhe studentet duhet të vishen jo në mënyrë provokative. Kaq kishte mjaftuar që disa studentë të protestonin para Rektoratit me kërkesën që ajo të shkarkohet pasi kishte bërë “deklaratë seksiste” , shkruan AktivPress.

Në frymën e protestuesve, Këshilli Drejtues i UP-së, me vota të fshehta vendosi që ta shkarkojë prorektoren, duke i shpërfillur sqarimet publike të saj, se ishte keqinterpretuar. Në mbrojtje të saj dolën një grup tjetër i studentëve të prirë nga Zogaj. Ai u bë iniciues i një peticioni për kthimin e prorektores në punë. Brenda pak ditësh, peticioni u nënshkrua nga një mijë veta. Për këtë peticion u bisedua edhe në takimin me rektorin Demaj. Zogaj, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka sqaruar qëndrimin e rektorit rreth kësaj çështje.

“Rektori i UP-së nuk ka ndikim autokratik dhe çështja duhet të bartet tek Këshilli Drejtues i UP-së. Duke pasur parasysh procedurat, ne si studentë do të vendosim për masa më të shpejta të veprimit”, ka shkruar Zogaj.

Peticioni që e kanë nënshkruar rreth 1.000 persona, sipas tij, ka treguar se “ekziston fryma brenda shoqërisë sonë që nuk e dëshiron një ambient ku dominojnë ideologjitë dogmatike”.

“UP-ja duhet të fokusohet kah shkenca, të gjykohen kërkesat me qasje racionale, assesi me premisa ideologjike që rrezikojnë skajshmërisht themelin e UP-së. Shkarkimi i prorektores për një deklaratë të nxjerrë nga konteksti cenon vlerat shoqërore dhe demokratike. Prorektorja thotë vazhdimisht që nuk amnistohet ngacmimi seksual”, ka shtuar Zogaj.

Ai ka përkujtuar se nuk qëndron çështja tek individi, por tek vlerat demokratike si liria e shprehjes.

“Një Universitet ku iracionaliteti, dogmatizmi dhe cenzurimi i fjalës së lirë është para racionales, mendimit kritik dhe lirisë së shprehjes, ai Universitet mund të jetë gjithçka pos qendër e dijes dhe emancipimit jo. Kjo për bindjet tona përbën kërcenim për të ardhmen e UP-së dhe të Kosovës në përgjithësi”, është shprehur Zogaj.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, shkarkimin e prorektores e ka mbështetur mbi “gjuhën e saj të pamatur të përdorur në media rreth ngacmimeve seksuale në UP”.

“Duke pasur parasysh situatën e krijuar pas deklaratave të pamatura të prorektores për marrëdhënie me jashtë Prof.ass. dr. Teuta Pustina- Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës përmes së cilës ka irrituar opinionin studentor , Universiteti i Prishtinës, distancohet tërësisht nga deklarata e tillë duke konsideruar të njëjtën si shprehje të mendimit të saj personal”, thuhej në vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së.

Në të njëjtin vendim thuhet se Parlamenti Studentor ka kërkuar dorëheqjen apo shkarkimin e proprektores Pustina - Krasniqi dhe pas shqyrtimit të kërkesës së rektorit, Këshilli Drejtues ka marrë vendim për shkarkimin e saj. Rasti i prorektores tash është në gjyq.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme