Rukiqi e arsyeton rritjen e mundshme të energjisë me koston e lartë të ndërtimit të “Kosovës së Re”

Rukiqi e arsyeton rritjen e mundshme të energjisë me koston e lartë të ndërtimit të “Kosovës së Re”

16 prill 2018 23:43

Ekonomisti Berat Rukiqi, ka arsyetuar rritjen e mundshme të energjisë elektrike pas ndërtimit të termocentralit Kosova A, me koston e lartë që po investohet për ndërtimin e tij.

Ai ka thënë se furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike është parakusht për zhvillim ekonomik dhe për mirëqenie ekonomike.

“Dhe kusht është që energjia duhet të prodhohet me resurse vendore, e jo të importohet. Ne jemi vonuar shumë në këtë aspekt”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Rukiqi ka folur edhe për tarifën prej pesë euro për një drejtim në “Rrugën e Kombit”. Ai ka thënë se një tarifë e tillë së pari ka prekur qytetarët e Shqipërisë. Sipas tij, tarifat e tilla duhet të vihen pas analizave.

“Nuk është që Shqipëria nuk ka pasur analiza, por ka zgjedhur opsionin e tarifës më të shtrenjtë të mundshëm, me konsensionim të drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Rukiqi ka thënë se kjo nuk do të jetë pa ndikim edhe në shkëmbimet tregtare dhe të njerëzve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai ka thënë se ka një mungesë besimi dhe një mungesë komunikimi

“Nuk mjafton vetëm të thuhet se ne jemi vëllezër dhe se problemet do t’i zgjidhim si vëllezër. Dy vende që kanë edhe interesa ekonomike të ndërsjella duhet të ulen dhe të diskutojnë hapur për sfidat dhe problemet”, ka thënë ai.

Sa i përket gjigantit Trepça, Rukiqi ka thënë se ajo duhet të hapet për investime të huaja.


Rukiqi zyrtarizon kandidaturën për kryetar të OEK-ut

23:53 - Berat Rukiqi, ekonomist, ka zyrtarizuar kandidaturën për kryetar të Odës Ekonomike të Kosovës.

Ai ka thënë se përvoja 11-vjeçare në OEK ka bërë që të shohë të gjitha të mirat dhe të metat si dhe nevojat për përmirësim të kushteve për biznes në vend.

“Jam qe 11 vjet e fundit në OEK dhe kam pa potencialin, ku qëndron fuqishëm e ku duhet të përmirësohet. Pasi Safet Gërxhaliu përfundon mandatin e dytë dhe të fundit, kam vendos që të konkurroj për pozitën e të parit të Odës Ekonomike të Kosovës, duke u bazuar në historinë time profesionale. Gjithmonë duke aspiruar që odën ta bëjë me rol më të rëndësishëm në vendimmarrje. Në gjashtë muajt e fundit kam biseduar me bizneset për të parë vizionin ose zhvillimet që ata i duan në OEK. S’do të kandidoja po të mos kisha këtë përkrahje”, është shprehur Rukiqi në Interaktiv të KTV-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme