Arbëri

KE-ja në qershor mund të konfirmojë përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash

Komisioni Evropian nuk është ende në gjendje të konfirmojë nëse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash.

Sipas burimeve nga ky institucion, vlerësimi është në proces e sipër, shkruan sot Koha Ditore.

Duke rikujtuar se propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën ishte dhënë qysh në vitin 2016, me kushtin që pas kësaj të përmbusheshin edhe dy kushtet: ratifikimi i Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe forcimi i regjistrit të rasteve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, burimet nga Komisioni Evropian tash thonë se “ratifikimi i Marrëveshjes ka përmbushur njërin nga kriteret kyç për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe paraqet hap kyç drejt liberalizimit të vizave”.

Pra, Komisioni qartë ka lënë të kuptohet se ende nuk e konsideron të përmbushur kriterin që lidhet me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se për këtë është duke e bërë vlerësimin tani. Ky proces vazhdon dhe kontaktet mes Komisionit Evropian dhe autoriteteve të Kosovës janë në vazhdim e sipër. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)