Arbëri

Thaçi: BE po e pret demarkacionin për t’i liberalizuar vizat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Munih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, ka zhvilluar takime me zyrtarë të BE-së.

Sipas një postimi në Facebook, Thaçi ka treguar se ka takuar komisionerët Johannes Hahn dhe Dimitris Avramopoulos me të cilët ka diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave.

Thaçi thotë se zyrtarët evropianë i kanë thënë atij se pengesa e vetme në këtë drejtim është demarkacioni me Malin e Zi.

“Komisionerët Hahn dhe Avramopoulos ritheksuan edhe sot se Brukseli po e pret vetëm edhe ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi, raporton Koha.net.

Ai theksoi se tani është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vendosin se kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në zonën Schengen.