Policia e Kosovës u përgjigjet deputetëve për konkursin

Policia e Kosovës u përgjigjet deputetëve për konkursin

16 prill 2018 20:25

Policia e Kosovës, përmes një informacioni sqarues për media, i është përgjigjur deputetëve Veton Berisha dhe Etem Arifi, që reaguan për përjashtim të komuniteteve egjiptian dhe ashkali nga konkursi publik në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se ka një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe ashkali të cilët në vazhdimësi kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri detyrat dhe autorizimet në funksion të zbatimit të ligjit.

Konkursin e quan gabim teknik që do të përmirësohet, derisa kërkon falje dhe mirëkuptimin për këtë gjë.

Më poshtë po e japim të plotë njoftimin nga Policia e Kosovës:

Policia e Kosovës duke respektuar të drejtën e secilit, për t’u shprehur lirshëm, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit dhe mediave publikon këtë sqarim pas postimeve në rrjetet sociale të deputetit Veton Berisha lidhur me reagimin e tij publik për siç thotë ai: "përjashtimin e komunitetit Egjiptian/Ashkali nga konkursi për Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës si çdo herë tjetër bazuar në ligjet e aplikueshme në vend, procedurat standarde, si dhe me vendosmëri duke zbatuar parimet e mosdiskriminimit për të gjitha komunitetet në RKS, sot me datë 16.04.2018 ka shpall konkursin për zyrtarë policor ku janë specifikuar kriteret për aplikim dhe udhëzimet e nevojshme.

Policia e Kosovës në kuadër të saj ka një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të komunitetit egjiptian dhe ashkali të cilët në vazhdimësi kanë kryer dhe po kryejnë me devotshmëri detyrat dhe autorizimet në funksion të zbatimit të ligjit.

Prandaj ju garantojmë që edhe në këtë proces sikurse edhe në të kaluarën do të ketë qasje të barabartë të të gjitha komuniteteve bazuar në parimet e patjetërsueshme të mosdiskriminimit të asnjë forme.

Policia e Kosovës kërkon falje dhe mirëkuptim për gabimin teknik sa i përket aspektit të përpilimit dhe printimit të formularit për aplikim, dhe ju sigurojmë që do të ndërmerren masa të menjëhershme në funksion të përmirësimit të gabimeve teknike, dhe formulari i korrigjuar do të jetë në dispozicion që nga dita e nesërme me përfshirjen edhe të komuniteteve egjiptian dhe ashkali.

Gjithashtu për të qenë sa më objektive dhe transparente Policia e Kosovës dëshiron po ashtu të ju njoftoj se qysh para shpalljes së këtij konkursi për zyrtarë policorë ka zhvilluar fushata në funksion të inkurajimit të femrave dhe komuniteteve për të ju bashkangjitur Policisë duke përfshirë edhe fushatat për inkurajimin e komunitetit egjiptian dhe ashkali për të qenë pjesë e jona.


Për konkursin në Polici, deputetët Berisha e Arifi kërcënojnë me braktisje të koalicionit qeverisës

Deputeti nga Partia Liberale egjiptiane, Veton Berisha dhe Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjve për Integrim kërcënojnë se do të largohen nga koalicioni qeveritar nga Qeveria Haradinaj.

Berisha dhe Arifi kërkojnë që nëse brenda 24 orëve nuk korrigjohet konkursi për policë të rinj të Kosovë atëherë do të detyrohen ta bëjnë këtë veprim.

“Me dashje apo pa dashje me qëllim apo pa qëllim, Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e diskriminon dhe përjashton nga Konkursi Publik i Policisë së Kosovës kandidimin e pjesëtarëve nga komuniteti egjiptian dhe ashkali. Siç shihet nga formulari i aplikimit egjiptianët dhe ashkalit nuk e kanë mundësinë të kandidojnë pasi që i është mohuar e drejta e deklarimit të përkatësisë etnike për dallim me komunitetet tjera. Ne deklarojmë se kurrë nuk do ta lejojmë këtë praktikë diskriminuese nga e kaluara”, thuhet në një deklaratë të këtyre dy deputetëve.

Sipas Berishës dhe Arifit egjiptianët dhe ashkalinjtë janë kategori kushtetuese deri sa në konkurs përfshihen kategori jo kushtetuese (çerkez dhe kroat) dhe ky gabim sipas tyre është i pafalshëm.

“Egjiptianët dhe ashkalinjët institucionin e Policisë së Kosovës e konsiderojnë si institucion kredibil dhe nuk e presin përjashtimin nga ky institucione”, thuhet në deklaratë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme