Vetëvendosje mbledh nënshkrime për debat të veçantë për Raportin e Progresit

Vetëvendosje mbledh nënshkrime për debat të veçantë për Raportin e Progresit

16 prill 2018 19:40

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur që të mbledh nënshkrimet e deputetëve për debat të veçantë lidhur me Raportin e Progresit.

Komisioni Evropian pritet që nesër të publikojë raportin për vitin 2017. Koha Ditore ka raportuar sot se ndër porositë kryesore për Kosovën janë thirrjet për akterët politikë që të angazhohen në dialog konstruktiv me Kuvendin si forum kryesor për debat politik, thirrja për angazhim më të madh në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe; ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi, si dhe forcimi në vazhdim i “track rekord” (rasteve të shënjestruara) në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit konsiderohet si “zhvillim pozitiv”.

Por përsëri shprehet shqetësim për nivelin e korrupsionit, dhe kësaj radhe edhe për “përpjekjen e 43 anëtarëve të Kuvendit” që të zhbëhet Ligji për Gjykatën Speciale.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë propozohet nisja e negociatave të anëtarësimit, ndërsa për Turqinë thuhet se ka ecje serioze prapa dhe largim nga standardet e BE-së.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, pritet që këtë javë të ketë çdo ditë mbledhje për të përfunduar 26 pikat që janë në rend dite.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme