Arbëri

KQZ vëzhgon zgjedhje praktikat e të cilave nuk e ndihmojnë, monitoruesit thonë se kjo është zbavitje

Mbi 3 mijë e 100 euro ka shpenzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për vëzhgim të zgjedhjeve në Hungari që u mbajtën javën e kaluar.

KQZ-ja gjatë së dielës, ka vëzhguar edhe zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi.

Përveç vëzhgimit të zgjedhjeve në vende të rajonit, KQZ-ja gjatë vitit 2016, ka vëzhguar zgjedhjet presidenciale edhe në Republikën Domenikane, raporton KTV.

Ky institucion po kritikohet nga shoqëria civile se po bën shpenzime të panevojshme.


Albert Krasniqi nga KDI-ja, thotë se Kosovës nuk i duhet të vëzhgojë zgjedhje presidenciale, pasi është Republikë parlamentare.

Madje, thotë se asnjëherë KQZ-ja nuk ka publikuar raport për përvojat e fituara nga vëzhgimi i zgjedhjeve.

KTV-ja ka kërkuar nga Komisioni Zgjedhor të dhëna dhe raportet financiare të udhëtimeve për vëzhgim të zgjedhjeve jashtë vendit, por ky institucion nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së, edhe pas një javë pritjeje.

Ndërkohë, anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi, arsyeton vëzhgimin e zgjedhjeve në vendet e rajonit, ani pse mbi 1 mijë e 600 komisionerë të zgjedhjeve ende nuk janë paguar.

Vetëm gjatë vitit 2016, për udhëtime zyrtare, KQZ-ja ka shpenzuar rreth 70 mijë euro, pa u specifikuar se për çka janë realizuar këto udhëtime.

Ndërsa, gjatë 2017-s, për akomodime brenda vendit, KQZ-ja ka shpenzuar mbi 7 mijë euro.