Arbëri

Lluka nuk e mohon se çmimi i rrymës mund rritet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, nuk e ka mohuar rezultatin e Institutit GAP se çmimi i rrymës mund të rritet për 44 për qind, nga ai aktual me nisjen e prodhimit nga termocentrali “Kosova e Re”.

Por, ka thënë se qeveria do ta monitorojë procesin tenderues për ndërtimin e termocentralit dhe varësisht nga kostoja e ndërtimit të tij do të përcaktohet edhe kredia që do ta marrë kompania.

Për këtë ka thënë se po punohet që çmimi për megavat të mos jetë 80 euro, i cili është vendosur në kontratë si çmimi më i lartë.

Lluka ka shtuar se është duke u punuar që deri në vitin 2023 të eliminohen humbjet teknike, si dhe kyçjet ilegale, të cilat deri tash u janë faturuar qytetarëve.

Por, në Express intervistën e KTV-së, Agron Demi nga Instituti GAP tha se kjo do të jetë rritja minimale nëse operatorët e shpërndarjes së rrymës nuk e rrisin koston edhe më shumë.

Investime pritet të ketë edhe në Termocentralin Kosova B, ndërkohë që edhe kostoja e mbylljes së Termocentralit Kosova A do t’u faturohet qytetarëve.

Ministri Lluka e ka pranuar se kreditë për projekte, që kanë të bëjnë me thëngjillin, janë me interes më të lartë për rreth 20 %. Ministri Lluka po shpreson që Qeveria të gjejë mundësi për një kredi me normë më të ulët, por përcaktimi i normës për projektet me thëngjill është bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD.