Gjithçka rreth vizitës së kryeministrit bullgar në Kosovë

16 prill 2018 19:14

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, shtet ky që udhëheq Presidencën me Bashkimin Evropian, ka thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave.

Në vizitën e tij të parë në Prishtinë, kryeministri bullgar është takuar me presidentin Thaçi, raporton KTV.

Borisov është dekoruar me medaljen e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Nga Prishtina, Borisov ka porositur Kosovën dhe Serbinë se janë të obliguara që t’i zgjidhin problemet mes tyre.

“Ne nuk japim këshilla, e as nuk guxojmë të japim këshilla, mirëpo në qoftë se nuk nënshkruhen marrëveshje me Serbinë, as Kosova as Serbia nuk do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Sepse, BE-ja nuk dëshiron vende anëtare me probleme mes vete. Prandaj, ne duam që ju t’i zgjidhni problemet mes vete. Parësore është që të mos shikojmë prapa, por të shikojmë përpara”, ka thënë Borisov.

Por, i bindur se brenda këtij viti Kosova do të marrë liberalizimin e vizave, është shprehur presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi e Borisov kanë folur edhe për Samitin e Sofjes, që mbahet muajin tjetër në kryeqytetin bullgar.


Tashmë shtete të ndryshme, sikur Spanja, kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit.

“Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete, siç e ka njohur edhe Bullgaria. Kurse, për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Borisov.

Ndërsa, presidenti Thaçi ka thënë se Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm kur Kosova është pjesë e saj.

Kryeministri bullgar është takuar edhe me homologun kosovar, Ramush Haradinaj.

Sipas një njoftimi për media, Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme