Kryeministrja britanike merr shembullin e Kosovës për të arsyetuar sulmin ajror në Siri Foto: Koha / ilustrim

Kryeministrja britanike merr shembullin e Kosovës për të arsyetuar sulmin ajror në Siri

16 prill 2018 17:56

19:08 - Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka thënë se Qeveria ka publikuar bazën ligjore për aksionin në Siri, duke thënë se zbutja e vuajtjeve humanitare është arsye e vlefshme, që është përdorur nga qeveria e fundit Laburiste në Kosovë.

Siç raporton “Mirror”, May ka thënë se ajo që e veçon këtë rast me të Kosovës është përdorimi i armëve kimike. Ajo thotë se qëllimi është të rivendoset norma ndërkombëtare se përdorimi i armëve kimike është i ndaluar, transmeton Koha.net.

“Unë vazhdoj të mendoj se ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, tha May.

Ajo tha fuqishëm se Qeveria beson se veprimet ushtarake kanë qenë ligjore dhe kanë përmbushur tri kriteret bazike, raporton “Express”-i anglez.

“Së pari, duhet të ketë dëshmi bindëse, të pranueshme gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar si tërësi, për krizë ekstreme humanitare në shkallë të gjerë, që kërkon intervenim të menjëhershëm dhe urgjent. Së dyti, duhet të jetë e qartë objektivisht se nuk ka alternativë tjetër praktike ndaj përdorimit të forcës nëse duhen shpëtuar jetë. Dhe së treti, përdorimi i forcës së propozuar duhet të jetë i nevojshëm dhe proporcional me qëllimin për intervenim ndaj vuajtjeve humanitare dhe duhet të jetë i limituar strikt në kohë dhe në fushëveprim me këtë qëllim”, ka thënë May, transmeton Koha.net.

“Këto janë tri kriteret e njëjta që janë përdorur si arsyetim ligjor për rolin e Britanisë së Madhe në intervenimin e NATO-s në Kosovë”, ka shtuar ajo.

May shtoi se qeveritë ishin pajtuar në përdorim të veprimit ushtarak “kudo që është e nevojshme dhe proporcionale, dhe si mjet i fundit, shmangia e një katastrofe të madhe humanitare është e lejueshme në bazë të ligjit ndërkombëtar”.


Ish-ministri laburist: Sulmet në Siri janë po aq ligjore sa fushata bombarduese në Kosovë

Një ish-ministër laburist, që kishte aprovuar bombardimet gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se edhe sulmet ajrore në Siri janë legale.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur kryeministrja britanike, Theresa May, po përballet me pyetje nga deputetët britanikë, pasi që partitë opozitare thonë se është dashur të konsultoheshin paraprakisht.

Lordi Morris nga Aberavon – prokuror i përgjithshëm gjatë qeverisjes së Tony Blairit – tha se “gjerësisht ka qenë në bazën e njëjtë ligjore” sikurse fushata bombarduese e NATO-s në Kosovë më 1999, raporton BBC.

Ai tha se ato [intervenimet] kanë qenë si reagim ndaj “një katastrofe të gjerë humanitare” në ish-Jugosllavi.

Lokacionet të dyshuara me armë kimike afër Damaskut dhe Homsit u goditën nga forcat e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës të shtunën si reagim ndaj një sulmi të dyshuar kimik në Duma më 7 prill.

Siria, e cila mohon të ketë përdorur armë kimike, dhe Rusia, e cila i ofron mbështetje ushtarake qeverisë siriane, kanë reaguar ashpër ndaj aksionit.

Figura të larta laburiste në Britani, përfshirë edhe liderin e partisë Jeremy Corbyn, kanë vënë në pikëpyetje legalitetin e sulmeve, por ministri i Parë i Laburistëve në Uells, Carwyn Jones, ka ofruar mbështetjen e tij për “çdo intervenim që mund të parandalojë ndonjë katastrofë të mëtejme”.

Lordi Morris tha: “Si Prokuror i Përgjithshëm që dha autoritetin legal për bombardimet 68 ditëshe në Kosovë më 1999 mbi bazën se atje po ndodhte një katastrofë e gjerë humanitare, unë po zhvilloja ligjin në bazë të asaj që është bërë nga paraardhësit e mi në Irak 1 [lufta e parë e Gjirit] dhe për kurdët e arabët marsh”, transmeton Koha.net.

“Veprimet e Qeverisë janë gjerësisht në të njëjtën bazë ligjore”, shtoi ai.

“Në kohën e Kosovës, unë para thënë se nuk mund të ketë një siguri legale për veprimet tona por isha i kënaqur se kishte një argument që forcat tona të vepronin sigurt”.

“Nëntë shtete tjera të NATO-s bënë të njëjtën gjë dhe ne të gjithë u akuzuam nga Jugosllavia në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë ku unë isha këshilltari kryesor i Britanisë së Madhe”.

“Me keqardhje të thellë, Gjykata nuk vendosi për pozicionin legal”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme