RRGK do mobilizim të shoqërisë kundër dhunës ndaj grave

RRGK do mobilizim të shoqërisë kundër dhunës ndaj grave

16 prill 2018 17:39

Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë se java që e lamë pas shënoi disa raste të dhunës ndaj grave.

Për këto raste Rrjeti, thotë të jetë njoftuar përmes mediave lokale por edhe nga kontaktet e drejtpërdrejta të familjarëve dhe të njohurve të viktimave të dhunës.

“Në fshatin Varosh të komunës së Ferizajt me datë 14 prill 2018, një i moshuar kishte sulmuar me sëpatë bashkëshorten e tij. Si pasojë e lëndimeve të fituara, viktima është dërguar në trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari për këtë vepër është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit. Rasti është trajtuar si ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ndërsa nuk është përmendur nëse ky rast po trajtohet edhe si rast i dhunës në familje, shkruajnë mediat lokale. Nga familjarët dhe të njohurit e viktimës, u kuptua që si pasojë e traumës psikologjike të fituar pas sulmit me sëpatë, edhe anëtarë të tjerë të kësaj familje janë duke pranuar trajtim mjekësor, për të kaluar përjetimin traumatik. Sipas po këtyre burimeve, më të prekurit janë fëmijët e kësaj familje, të cilët ishin të pranishëm kur kishte ndodhur rasti”, thuhet në këtë reagim nga RRGGK-ja.

Sipas kësaj organizate, studimet e bëra në Kosovë, por edhe në botë, tregojnë për pasojat që lë dhuna.

“Këto pasoja nuk mbesin vetëm në viktimën por edhe tek dëshmitarët e dhunës. Ndjenja e turpit, e vetmisë, mungesa e vetëbesimit, abuzimi me droga dhe alkool, paaftësia për të krijuar marrëdhënie të shëndosha shoqërore dhe emocionale, janë disa prej problemeve të cilat shfaqen tek personat që kanë përjetuar dhunën apo kanë qenë të pranishëm në situata të dhunës”, thuhet më tej në këtë reagim.

Prandaj, duke i patur parasysh pasojat dhe ndikimin që dhuna ka tek individët por edhe tek shoqëria, RrGK bën thirrje që dhuna të ndalojë.

“Kjo është e mundur nëse ne, e tërë shoqëria, e dënojmë dhe nuk e tolerojmë dhunën. Po ashtu, RrGK u bënë thirrje institucioneve të rendit dhe ligjit, që të trajtojnë seriozisht të gjitha rastet e dhunës ndaj grave, dhe aty ku ka elemente të dhunës në familje, të trajtohen si të tilla, duke e patur parasysh peshën që i bie një krimi, në rast se ai krim shkaktohet në marrëdhënie familjare”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme