Arbëri

​Kuvendi i Kosovës ndërpret punimet e seancës

20:39 - Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme për shkak të mungesës së kuorumit.

Seanca do të vazhdojë nesër punimet nga ora 10:00, me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të mbetura nga seance e sotme.


Millaku-Veselit: Nuk të kam dëgjuar kur ke sha se gazin lotsjellës ta kisha shti në gojë

19:21 - Deputetët e Vetëvendosjes nuk ia kanë harruar një sharje që kryetari i Kuvendit të Kosovës ua ka bërë më 21 mars ditën kur u hodh gazi lotsjellës në seancën që u votua demarkacioni me Malin e Zi.

Ishte deputetja Drita Millaku e cila tha se është mirë që nuk ishte aty se do ia kishte futur në gojë gazin lotsjellës për sharjet që ka bërë kryetari Veseli.

“Desha të them zotëri kryetar, nuk ta kemi borxh, se nuk ke marr vota të qytetarëve për me ua sha robt deputetëve. E para pikë, ty të shkon, i shfrytëzon këto situatat tilla. Nuk është hera e parë që e heq maskën tënde dhe e tregon fytyrën e vërtetë që e ke. Nuk është në rregull, sepse e kemi kuptuar vonë që i kishe bërë këto fyerje. Se për besë nuk kishe shpëtuar kaq lehtë në qoftë se të kishim dëgjuar… Për besë, po ta jap fjalën, shyqyr Zotit që nuk të kam dëgjuar, sepse atë gazin lotsjellës në gojë ta kisha shti, tjetër sen s’kisha mundur me bë…”, i tha Millaku Veseli.

Ndaj fjalës së Millakut ka reaguar i apostrofuari i cili tha se vetëm Zoti e ka në dorë jetën e tij, ndërsa ironizoi me emrin e deputeti Salih Zyba, duke e quajtur “Zyrap”.

“Zonjë, sikur me pas lidhje ti me mua, unë me ty kurgjo s’kam lidhje dhe çka mu ke gju se më sakatove. Kjo fjala e fundit, me shpetu ose jo, vetëm Zoti i madh e ka në dorë… Hajde ti Zyrap a qysh e ke emrin”, i ka thënë Veseli deputetit Zyba.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti Zyba i cili kërkoi nga Veseli që të kërkojë falje për ofendimet që bëhen ndaj tyre.

“Mirë që ma mësove emrin kryetar i Kuvendit, është mirë me mësu përmendësh, sepse ke me u ballafaquar me fakte, me argumente. Edhe unë e kem shqetësimin për mënyrën e komunikimit, keqpërdorimin e foltores për të cilën nuk është hera e parë që e ke keqpërdorë, në këtë rast pozitën për të cilën nuk je i thirrur. E në veçanti për mënyrën dhe qasjen, edhe herën e kaluar kur ke ofenduar, përkundër ankesave tona procedurale, nuk je tërhequr prej fjalëve tua, nuk ke kërkuar falje asnjëherë as para qytetarëve as për neve deputetëve. Kështu që e ke vërejtjen e fundit personalisht nga unë për ofendimin që na e ke bërë atë ditë. N’daç merre kërcënim, n‘daç jo, kështu që qasjen që e ke ti për deputetë na detyrohesh me t’u përgjigj në këtë formë”, ka thënë Zyba.

Veseli iu përgjigj edhe deputetit Zyba duke i kërkuar që ta ruajnë dinjitetin duke përmendur një rast për poetin Lasgush Poradeci që i ka ndodhur në kohën e komunizmit në Shqipëri.

“Lasgush Pogradecit i thonë me shkru një poezi, partia, komiteti, në atë kohë. I thonë ‘shkruje një poezi për atë tunelin që shkon për Pogradec’; pasi e shkroi ai, komesari politik i tha: ‘S’ke shumë i kënaqur’. Dëgjo, unë po mundohna goxha shumë me rujt dinjitetin, edhe timin edhe të juajin, por ruane edhe ju ngapak të juajin edhe timin. Kjo është për fund për arsye se të gjithë jemi qenie njerëzore”, ka thënë Veseli.

Ky debat në mes Veselit dhe deputetëve të VV është bërë gjatë seancës së Kuvendit e cila po vazhdon edhe në këto momente.


Tahiri prezanton Projektligjin për KPK-në, Haxhiu e këshillon të jetë më serioz

18:58 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ai tha se në rrafshin praktik ky projektligj ka unifikuar ndryshimet e shumta të përkohshme që janë bërë në legjislacionin e kësaj fushe, duke sjellë në mënyrë të unifikuar të gjitha parimet në strukturën unike të pushtetit gjyqësor në një akt të vetëm, duke garantuar sigurinë juridike të tij.

“Çdo dispozitë e vendosur në këtë projektligj ashtu si edhe dy të tjerat që do t’i kemi në shqyrtim sot, është në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që burojnë nga opinionet e Këshillit Konsultativ të gjyqtarëve evropianë, raportet e Komisionit të Venedikut dhe rekomandimet e Kievit. Të njëjtat janë hartuar në atë mënyrë që t’u japin zgjidhje afatgjatë dhe të kontribuojnë në krijimin e një tradite juridike, të cilën Republika e Kosovës duhet ta ndërtojë pikërisht përmes një gjyqësori efikas, transparent dhe llogaridhënës në veprimtarinë e të cilit kanë besim të gjithë qytetarët e Republikës sonë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë projektligj, është arritja e një standardi bashkëkohor të transparencës ku për dallim nga ligji aktual, ky projektligj që kemi përpara i obligon të gjitha gjykatat nga ajo Themelore, e Apelit dhe Gjykatën Supreme ti publikojnë të gjitha aktgjykimet në faqe n zyrtare me afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit në pajtim me legjislacionin në fuqi, duke siguruar një herësh mbrojtjen e të dhënave personale dhe duke pasur parasysh parimin e prezumimin e pafajësisë”, ka thënë Tahiri.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka folur për diskriminimin e qytetarëve të Kosovës me projektligjin për Gjykatat, ka kërkuar nga ministri Abelard Tahiri ta marrë punën më seriozisht dhe mos të qesh në seancë.

“Sot po diskriminohen qytetarët e Kosovës, për shkak se një qytetar i Pejës, një qytetar i Gjakovës, i Prizrenit, i Gjilanit, i Besianës detyrohet me ardh në Prishtinë për shkak të ankesave në Gjykatën e Apelit, ndërsa qytetarët serbë e kanë te dera Gjykatën e Apelit. Kjo është në shpërputhje edhe me Kushtetutën, kështu nuk integrohen as serbët dhe nuk e di pse zotëri ministër po qeshni, duhet me marr më seriozisht punën që po e bëni”, ka thënë deputetja Haxhiu.

Kuvendi është ende duke zhvilluar punimet e saj për shqyrtimin e projektligjeve ndërsa shumica e tyre nuk po mund të votohen për shkak të mungesës së deputetëve në seancë.


Kuvendi dështon ta bëjë Kosovën me Këshill Shtetëror të Cilësisë

Kuvendi i Kosovës nuk i ka ratifikuar emrat për anëtarë të Këshillit Shtetëror për Cilësi pasi që kishte mungesë kuorumi.

Para se të hidhej në votim ratifikimi i këtyre emrave, ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi ka arsyetuar vendimin e tij duke thënë se pas përfundimit të afatit të publikimit dhe shpalljes publike për thirrje të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, gjithsej kanë aplikuar 35 kandidatë dhe Komisioni i cili ishte formuar mbi bazën e këtij Udhëzimi Administrativ kishte hartuar listën e ngushtë prej 16 anëtarëve.

Ai tha se lista e ngushtë është hartuar mbi kushtet të cilat janë përcaktuar në udhëzimin administrativ, duke pasur parasysh katër fushat profesionale të ndara sipas udhëzimit administrativ. Bytyqi tha se në listën e ngushtë janë emëruar 6 anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke u bazuar në dy kriteret kryesore të Udhëzimit Administrativ, transmeton KP.

Bytyqi për anëtarë të KShC kishte propozuar: Prof. Ass.Dr. Vjollca Krasniqi, Prof. Ass. Dr, Arta Jakupi, Dr.Sc. Spec. Rozafa Koliqi-Lila, Prof. Dr. Magdalena Ziolo, Prof.Dr. Gazmend Luboteni, Prof.Dr. Herbert K. Amato, Prof. Dr. Xhavit Rexha, Prof.Msc. Jeffery Butel, Prof. Ass. Dr. Dukagjin Zeka.

LDK nuk ka marrë pjesë në votim, pasi që deputetët nuk votuan për emrat e propozuar për komision hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq.


Kuvendi s’pajtohet se kush ta kryesojë komisionin hetimor për gjashtë shtetasit turq

Një pjesë e madhe e seancës së sotme të Kuvendit iu dedikua procedurave të themelimit të Komisionit Hetimor parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova. I gjithë debati u fokusua se kush do ta kryesojë këtë komision.

LDK ishte iniciator për këtë komision, i cili do të përbëhej nga 11 anëtarë, derisa sot kërkoi që të hyjë në rend dite. Deputetët diskutuan për disa orë se kush duhet ta drejtojë komisionin por, në fund nuk është arritur të hyjë si pikë e rendit të ditës, pasi mori vetëm 58 vota për dhe një abstenim.

Deputetja Albulena Haxhiu ka deklaruar se kryesimin e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq, ka thënë se mund ta bëjnë vetëm LDK dhe VV, e jo partitë në pushtet.

Kurse, deputeti Hajdar Beqaj tha se nuk është mirë që të krijohen që në fillim komisione që janë në kundërshtim me ligjin dhe se për këtë çështje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse e themi atë çka thotë komisioni, konsideroj që është shkelje ligjore dhe nuk është mirë të bëjmë një komision me shkelje ligjore dhe unë po mendoj që këtë çështje ta dërgoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese“, ka thënë ai.

Kurse, në emër të LDK-së, Armend Zemaj, tha se derisa më herët janë pajtuar për një komision hetimor, tash po duket që ka ndonjë indikacion që nuk dëshiron të fillojë punën ky komision.

“Nuk ka ndonjë mandat fuqi plot as kryesuesi, as zëvendëskryesuesi, të gjithë janë anëtarë të barabartë, dhe materiali prapë do të vijë në seancë për votim apo mosvotim, kështu ne jemi që kjo pikë të renditet, të themelohet komisioni, mos të kemi këso neglizhence, ndoshta edhe të paqëllimshme, por si do të jetë t’i hapim rrugë hetimit parlamentar për një ngjarje e cila është konsideruar si një ndër skandalet më të mëdha të këtij viti apo që ka ndodhë në institucionet e sigurisë në vendin tonë“, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk janë kundër por duan të dinë se kush është kryesuesi dhe zëvendëskryesuesi.

Ligji për hetimin parlamentar thotë se nuk i takon iniciuesit dhe partive në pushtet.