Haradinaj-Borisovit: Presim nga Bullgaria mbështetje në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE

Haradinaj-Borisovit: Presim nga Bullgaria mbështetje në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE

16 prill 2018 13:18

Bullgaria ka një rol tejet të rëndësishëm në rajonin tonë dhe Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të ngushta dhe bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend evropian. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, vendi i të cilit që nga janari i 2018-ës kryeson me presidencën e Këshillit të Evropës.

“Bullgaria e ka një aleat, Kosovën! Jemi të nderuar me prezencën tuaj në vend dhe vendet tona nuk i ndanë asnjë temë”, tha Haradinaj duke shtuar se për të dyja vendet është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rruga e përbashkët evropiane.

Haradinaj kërkoi nga Borisovi mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si dhe për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, tha Haradinaj.

Nga ana tjetër, Borisovi shprehu përkushtimin e vendit të tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dyja vendeve, partneritetit ekonomik dhe rrugën e përbashkët evropiane.

"Midis shteteve tona nuk ka çështje të hapura. Synimet tona për investimet infrastrukturore dhe në fusha të tjera e kanë në fokus edhe Kosovën”, tha Borisovi.

Në takim morën pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme