Hoti: Ministrat me aktakuza duhet të shkarkohen

Hoti: Ministrat me aktakuza duhet të shkarkohen

16 prill 2018 11:03

Avdullah Hoti nga Grupi Parlamentar i LDK-së gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës, ka ngritur shqetësimin lidhur me ministrat në kabinetin qeveritar që kanë aktakuza.

Ai tha se këta ministra do të jenë pjesë e raportit i cili do të publikohet nesër. Sipas Hotit, e vetmja zgjidhje është mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike.

"Në këtë qeveri, janë tre ministra që kanë aktakuzë të ngritur. Është edhe një ministër që ka shkelur Kodin Penal duke rrezikuar sigurinë publike, por që është mbajtur në qeveri me votat e deputetëve të partive në koalicion. Dhe një tjetër ministër me akuza edhe më të rënda për keqtrajtim të shqiptarëve në Prishtinë gjatë luftës, por që Haradinaj u detyrua ta mbante në qeveri", tha Hoti, përcjell Koha.net.

Tutje ai tha se duhet ta kemi të qartë se ne e respektojmë parimin e pafajësisë të secilit derisa nuk ka një vendim përfundimtar të gjykatës që e vërteton fajësinë.

"Por, nuk mund të pajtohemi që këta persona me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre. Është e qartë se në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, këta persona nuk mund të jenë të paanshëm në ndërkohë që hetohen" përfundoi Hoti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme