Pasuria e zyrtarëve publikë do të jetë e hapur, thotë shefi i Anti-Korrupsionit

14 prill 2018 20:15

Paratë e gatshme dhe të gjitha pasuritë e tjera të zyrtarëve publikë do të vazhdojnë të jenë të hapura për publikun edhe pas ndryshimeve të pakos së ligjeve Kundër Korrupsionit që pritet të miratohen gjatë këtij viti.

Neni 15 i projektligjit për Deklarimin e Pasurisë e garanton një gjë të tillë, raporton KTV.

Shefi i Kundër-Korrupsionit, Shaip Havollli ka sqaruar një intervistë për KTV-në se në këtë ligj nuk ishte paraparë që paratë e gatshme dhe transaksionet bankare të zyrtarëve publikë të mbylleshin për publikun.

Me ndryshimet e këtyre ligjeve, ka gjasë që Agjencisë t’i lejohet qasja dhe e drejta për të kontrolluar llogaritë bankare të zyrtarëve publikë.

Derisa ata do të obligohen që të raportojnë vetë në AKK për prejardhjen e pasurisë së tyre.

Në kuadër të pakos ligjore të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, ku bënë pjesë ligji për Agjencinë Kundër Korrupsion, ai për konfliktin e Interesit dhe Ligji për Deklarimin e Pasurisë, pritet të hyjë në fuqi edhe ligji për sinjalizuesit.

Megjithëse ky institucion ka numër të vogël të zyrtarëve, pret që në pjesën e dytë të 2018-s, qeveria të rrisë stafin profesional të saj.

Kundër Korrupsioni ka mbyllur procesin një mujor të deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë.

Më shumë se 98 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë bërë të një gjë të tillë, apo 4651 prej 4737 sa ishin në listë.

20 për qind e tyre do t’i nënshtrohen kontrollit nga Agjencia, e cila i përzgjedh në bazë të shortit.

Por së shpejti pritet që të rritet numri i zyrtarëve publikë që të deklarojnë pasurinë.

Profesorët e Universiteteve Publike, doktorët dhe Inspektorët, nëse miratohet ligji, nga viti i ardhshëm do të deklarojnë pasurinë e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme