Reagimet nga Kosova për sulmet mbi Siri

Reagimet nga Kosova për sulmet mbi Siri

14 prill 2018 10:06

Kurti përkrah bombardimet ndaj Assadit, thotë se diktatorët duhet të lëshojnë udhë

21:30 - Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka përkrahur fushatën e bombardimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë e Francës ndaj Sirisë.

Kurti ka thënë që e përkrah paqen dhe nuk i gëzohet luftës, por sipas tij, agresioni mizor i Assadit nuk mund t’a lë askënd indiferent, sidomos kosovarët.

“Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Duam paqen, e nuk gëzohemi për asnjë luftë, mirëpo agresioni mizor ndaj civilëve nuk mund të na lërë indiferentë, sidomos neve që e kemi parë e pësuar vetë, në Kosovën tonë.

Dëshira jonë do të ishte zgjidhja përmes rrugëve paqësore, përmes diskutimit e bashkëpunimit, por etja e diktatorëve për pushtet nuk i lejon këto.

Prandaj ishte e nevojshme ndërhyrja, së paku për t’i ndalur kapacitetet e tyre luftarake që po i përdorin për të masakruar popullin e vet.

Urojmë që të marrë fund sa më shpejt katastrofa njerëzore në Lindjen e Mesme, dhe shpresojmë, me sa më pak viktima.

Diktatorët duhet të lëshojnë udhë – e vetmja mënyrë e politikë-bërjes kombëtare e ndërkombëtare duhet të jetë demokracia sepse ajo i bën popujt sovranë.


PD përshëndet sulmet ajrore të SHBA-së

16:24 - Partia e Drejtësisë ka përshëndetur sulmet ajrore të SHBA-së dhe aleatëve në Siri.

Sipas kësaj partie, “ngjarjet e fundit të përdorimit të armëve kimike nga regjimi i Asadit ndaj civilëve të pafajshëm dhe ndaj fëmijëve kanë qenë tronditëse për gjithë botën demokratike”.

PD ka thënë se sulmet e nisura mbrëmë janë shpresëdhënëse që populli sirian të fitojë lirinë.

“Pamjet që shihen nga ndërhyrja e SHBA-ve dhe aleatëve të saj, na e kujtojnë kohën kur Kosova u ndihmua në mënyrë të ngjashme nga këto shtete në ditët më të vështira të historisë së saj”, thuhet në reagimin e Partisë së Drejtësisë.


Ismaili: Lutemi që Siria ta ketë fatin e Kosovës

12:54 - Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se pamjet nga Siria, rikujtojnë Kosovën kur ishte në luftë.

Ka thënë se Kosova lutet që edhe Siria ta ketë fatin si ajo, e t’u jepet shansi popullit sirian të jetojnë në paqe.

“Pamjet që vijnë nga Siria na rikujtojnë Kosovën në flakë dhe ndihmën që vinte nga ajri prej SHBA-së, Britanisë, Francës dhe aleatëve. Lutemi që edhe Siria ta ketë fatin e Kosovës dhe popullit sirian t’i jepet shansi për të jetuar në paqe. Gjithmonë ka shpresë që një vend i shkatërruar të kthehet në një vend ku mbizotëron paqja dhe jeta rifillon përsëri. Shembulli më i mirë për këtë është vetë Kosova”, ka shkruar Ismaili në Facebook.


Veseli thotë se ndërhyrja ushtarake në Siri duhet të përfundojë me paqe

12:13- Kryekuvendari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova mbështetë fuqishëm nismën ushtarake të SHBA-së në Siri.

“Kosova dhe populli i saj e mbështetë fuqishëm nismën ushtarake të Shteteve të Bashkuara në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, kundër regjimit diktatorial të Asadit. Imazhet e fundit të përdorimit të armëve kimike ndaj civilëve kanë qenë tronditëse për gjithë botën e civilizuar”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ai gjithashtu ka thënë se populli i Sirisë meriton të jetojë në paqe, e kjo ndërhyrje duhet të jetë fillimi i një ndërhyje ushtarake që përfundon me paqe për popullin e Sirisë.


Pacolli e quan imperativ ndërhyrjen e perëndimit në Siri

10:36 - Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova qëndron krah vendeve të lira dhe dënon ashpër veprimet e regjimit të Asadit i cili, siç ka shkruar Pacolli, po shkakton tragjedi dhe dhimbje popullit të Sirisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i merr me shqetësim të jashtëzakonshëm lajmet për përdorimin e armëve kimike dhe me keqardhje e pikëllim për viktimat civile që i shkaktojnë. Sulmet me armë kimike paraqesin shkelje të rënda të së drejtës së konfliktit të armatosur. Për më tepër përdorimi i armëve kimike është i ndaluar dhe sanksionuar nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Pacolli.

Sipas tij, rregullat ndaluese sot paraqesin norma imperative të së drejtës ndërkombëtare për të cilat është pajtuar ndërgjegjja e botës së qytetëruar.

“Siria është anëtare nënshkruese e kësaj konvente e cila i obligon shtetet anëtare të ndërmarrin masa të nevojshme ndaj personave fizikë dhe juridikë për të zbatuar ndalesën brenda juridiksionit të tyre”, ka shkruar Pacolli.


Thaçi: Kosova mbështet fuqishëm sulmet e perëndimit në Siri

10:22 - Kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës mbështet fuqishëm vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për të sulmuar caqet ushtarake dhe për të dobësuar aftësinë e regjimit të Asadit për të kryer sërish sulme kimike ndaj popullatës civile.

“Sulmet kimike kundër popullatës civile janë veprime çnjerëzore, të cilat duhet të marrin fund. Ne jemi të bindur se vlerat perëndimore dhe civilizuese do të ngadhënjejnë përballë çdo regjimi”, ka thënë Thaçi.

“Kosova fuqishëm mbështet përpjekjet e shteteve perëndimore për t'i dhënë fund regjimit të Asadit dhe luftës në Siri”, ka shtuar më tej ai.

Fjala përshëndet sulmet mbi Siri, thotë se duhej të ndodhnin që më 2012

10:15 - Partia “Fjala” thotë se sulmet e filluara ajrore të udhëhequra nga SHBA-të, Franca dhe Britania e Madhe ndaj caqeve ushtarake të Presidentit sirian Asad, janë të duhura dhe shpresëdhënëse për popullin sirian.

“Këto sulme ajrore është dashur të fillojnë që në vitin 2012-2013 kur krimineli Asad përdori për herë të parë armët kimike ndaj popullit sirian. Këto sulme nëse do të zhvilloheshin në vitin 2012-2013, do të parandalonin vrasjen e mbi 600 mijë civilëve, do të shkatërronin kriminelët dhe terroristët që vranë dhe përsekutuan popullatën e Sirisë”, thuhet në reagimin e partisë Fjala.

“Shpresojmë që përmes këtyre sulmeve ajrore sa më shpejt të shkatërrohet krimineli Asad dhe terroristët tjerë. Shpresojmë që sa më shpejtë populli i Sirisë të gëzojë lirinë sikur popujt tjerë në botë”, thuhet më tej në këtë reagim.


Abdixhiku për sulmet në Siri: Përgjigje e njerëzore ndaj një regjimi të ligë, e denjë ndaj Rusisë

10:04 - Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur përgjigje të drejtë dhe njerëzore sulmin e aleatëve perëndimorë mbi Siri.

“Më në fund një përgjigje e drejtë dhe njerëzore e SHBA-së me aleatë ndaj një regjimi të ligë e brutal që vret fëmijë e familje tash e sa vjet. Një përgjigje e denjë e Perëndimit edhe ndaj Rusisë”, ka shkruar Abdixhiku.

“Kosova i kupton e përjeton më së miri ditët si këto”, ka shtuar më tej ai.


Haradinaj mbështet sulmet ajrore në Siri

09:35 - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj u është bashkuar shteteve perëndimore duke u rreshtuar me to në sulmin ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Haradinaj i ka quajtur të pafalshme sulmet me arme kimike ndaj civilëve.

“Kosova i qëndron në krah intervenimit të aleatëve euroatlantik për ta ndalur regjimin e Asadit në Siri. Sulmet me armë kimike ndaj civilëve të pafajshëm janë të pafalshme dhe përpjekja e vendeve demokratike për të vendosur paqe në këtë vend është veprim tejet i nevojshëm”, ka shkruar Haradinaj.

Mëngjesin e hershëm SHBA, Franca, dhe Britania e Madhe kanë sulmuar caqet siriane ku dyshohet se ka armë kimike. Deri më tani Kanada, NATO, dhe Turqia kanë përkrahur këtë veprim të ndërmarrë.

Shteti rus në anën tjetër ka paralajmëruar pasoja për Amrikën, duke mohuar të ketë pasur sulm kimik në Siri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme