Arbëri

Hoxhaj e Gashi në Vjenë flasin për vizat dhe ushtrinë e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Vjenë në vizitë zyrtare. Në agjendën e takimeve me drejtues të institucioneve, Hoxhaj ka pasur diskutim për liberalizimin e vizave për Kosovën, perspektivën evropiane dhe rritjen e investimeve të Austrisë në Kosovë.

Siç njofton komunikata nga zyra e kryeministrit, në takime të ndara me kryeparlamentarin austriak, Wolfgang Sobotka, dhe ministrin austriak për Evropë, Gernot Blümel, Hoxhaj ka ngritur temën e liberalizimit të vizave, si prioritet me rëndësi të madhe për Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se roli i Austrisë në këtë proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Një temë tjetër kyçe që është diskutuar në këto takime është edhe organizimi i një forumi të madh ekonomik të Kosovës dhe Austrisë, gjë që do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, e në veçanti nënkupton investime të reja për Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në konferencën për shënimin e dhjetë vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Austrisë.

Në këtë konferencë Hoxhaj ka folur për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës dhe kompletimin e sovranitetit përmes anëtarësimit të plotë në OKB. Gjithashtu, edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës, të cilën e cilësoi me rëndësi strategjike jo vetëm për Kosovën por edhe për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

BE-ja është bashkëpërgjegjëse për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Këtë porosit e dha Zv.kryeministri i Kosovës, Dardan Gashi i cili bashkë me Enver Hoxhajn janë duke marrë pjesë në punimet e konferencës “10 vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”, organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Ambasada e Kosovës në Austri.

Gashi tha se Kosova ka shprehur perspektivën e saj evropiane dhe pro-perëndimore, mirëpo edhe Bashkimi Evropian duhet të reagojë pozitivisht në këtë qëndrim të Kosovës.

“Neve na është premtuar perspektiva evropiane që nga viti 1999, por jemi shteti i vetëm i lënë jashtë procesit të liberalizimit të vizave – edhe pse neve na janë dhënë kushte shtesë nga të gjitha shtetet tjera, të cilat kushte prapë se prapë i kemi përmbushur”, tha Gashi duke porositur që BE duhet në të ardhmen të tregohet kreative sa i përket integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne duhet të gjithë të anëtarësohemi së bashku në BE. Nëse kjo e fundit tregohet kreative, me anëtarësimin tonë si paketë, do ti vihej fundi I një konflikti të gjatë në rajonin tonë”, theksoi Gashi.

Sa i përket sundimit të ligjit, ne jemi të gatshëm të ecim përpara, mirëpo BE-ja duhe të jemi të sinqertë është njëlloj përgjegjëse për gjendjen e sundimit të ligjit në Kosovë me rezultatet pothuajse inzekzistente edhe përkundër 900 milionë eurove të shpenzuara për EULEX-in”, u shpreh Gashi.

Zyrtarët e lartë austriakë, të cilët kanë qenë në mënyra të ndryshme të involvuar në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës, njëzëri theksuan miqësinë e Austrisë ndaj Kosovës, si dhe mbështetjen që në kontinuitet i kanë dhënë dhe do të vazhdojnë ti japin Kosovës.