Tahiri: Beqaj duhet të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij

Tahiri: Beqaj duhet të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij

12 prill 2018 23:47

00:10 - Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri thotë se Besim Beqaj, ministër i Inovacionit, duhet të japë dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij në rastin “Pronto”.

Ai ka thënë se secili ministër, ndaj të cilit konfirmohet aktakuza, duhet të largohet nga pozita që mban në qeveri.

Këtu nuk ka përfshirë Valdrin Llukën e Zhvillimit Ekonomik, ndaj të cilit tashmë është konfirmuar një aktakuzë. Tahiri në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se kjo është në duar të kryeministrit dhe partisë së koalicionit, AKR.


Tahiri: Kodi i ri Penal dyfishon dënimet, i pamëshirshëm për zyrtarët publikë që kryejnë vepër penale

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Kodi i ri Penal, i cili pritet që së shpejti të jetë në votim në Kuvendin e Kosovës, parasheh dyfishim të dënimeve për disa vepra penale si dhe është i pamëshirshëm për zyrtarët publikë që kryejnë vepra penale.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se janë trajtuar 19 nene në luftën ndaj korrupsionit.

“Është çështja për rritjen e dënimeve, parashkrimet e veprave... Për herë të parë kemi vendosur edhe çështjen e dhunës në familje, e deri te dokumenti për pezullimin e zyrtarëve publikë për shkak të kryerjes së veprave penale. Një zyrtar që dënohet për këso vepre nuk mund ta ushtrojë funksionin e tij për së paku dhjetë vjet”, ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar po ashtu se nëse një vepër në të kaluarën ka qenë e dënueshme me tre vjet burgim, tani është me pesë deri në tetë vjet burgim dhe nëse një vepër ka qenë e dënueshme me tetë vjet burgim, tani do të jetë me 14 deri në 16 vjet burgim. Ai ka thënë se me Kodin e ri Penal periudha për parashkrim të veprave do të jetë së paku tetë vjet.

Sipas Tahirit, me Kodin e ri Penal edhe gjyqësori duhet të ketë besim më të madh nga qytetarët se nuk do të bëjë ndjekje politike që me qëllim t’ia humbë dikujt pozitën zyrtare.

Ai ka thënë se është pyetur që në Kodin e ri Penal të hiqet mbrojtja e burimeve anonime të gazetarëve, por ka shtuar se “nuk dëshiron regres në këtë aspekt”.


Tahiri: S’kam pas gisht në rastin e “gylenistëve”

00:02 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ai s’ka pasur gisht në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Sipas tij, ata janë dëbuar me bazë në Ligjin për të huajt, e që ka qenë çështje e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“S’kemi pas të bëjmë me ekstradim. Me ligj kjo quhet largim për shkak të qëndrimit të paligjshëm në territorin e Kosovës. Kam qenë i ballafaquar edhe me qeverinë turke për shkak të kërkesës së tyre për ekstradim. Nëse gjykata vendos në favor të ekstradimit, atëherë do të ishte në dorën time ekstradimi apo jo. Nëse gjykata refuzon unë s’kam gisht. Ajo ka qenë çështje ministrisë së punëve të brendshme, dhe AKI-së me ligjin për të huajt”, është shprehur Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme