Kronikë e KTV-së për procesin gjyqësor për të dyshimtit e “Syrit të Popullit”

11 prill 2018 19:13

Të pafajshëm janë deklaruar të akuzuarit e njohur si pjesë e organizatës “Syri i Popullit”. Por, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica e ka mbyllur për publikun seancën ndaj 10 të akuzuarve, pavarësisht se të akuzuarit kanë kërkuar që gjykimi të jetë krejtësisht publik.

Të papunë, molerë e doktorë shkence kanë dalë së bashku në gjykimin e dytë të grupit të njohur si “Syri i Popullit”, raporton KTV.

Prokuroria pretendon se këta 10 persona së bashku kishin për qëllim të kryenin atentate ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit.

Kështu, sipas Prokurorisë Speciale ata kanë kryer veprat; përgatitje e veprave terroriste ose penale kundër rendit kushtetuese dhe sigurisë së Kosovës, hakmarrje në ndihmë dhe vepra të tjera.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto vepra, pos Murat Jasharit që këtë nuk e ka bërë fare për shkak të gjendjes shëndetësore.

Por, kryetarja e trupit gjykues vendosi të mbyllë seancën për gazetarët dhe publikun.

Propozimi për këtë është bërë nga Sylë Hoxha, me arsyetimin se njëri nga të pandehurit akuzohet për dhunim gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim.

Mbyllja e seancave, që u bë me gjithë kundërshtimin e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, ka nxitur reagimin e publikut.

Mbrojtësit kanë dhënë paralajmërime se do të ankohen për këtë vendim.

Deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se ishte në dijeni për këtë grup, ka nxitur reagimin e familjarëve.

Palët kanë afat 30 ditë për të parashtruar ankesat e tyre për aktakuzën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme