Haradinaj pret që Lista Serbe të kthehet në Qeveri

11 prill 2018 19:05

I paqartë mbetet pozicioni i Listës Serbe në Qeveri. Ndonëse kanë paralajmëruar se janë larguar nga Qeveria e Kosovës, të njëjtit vazhdojnë të shkojnë në punë, raporton KTV.

Kryeministri Haradinaj, thotë se janë duke biseduar me ta dhe se presin që ky subjekt të kthehet në Qeveri.

Lista Serbe ende zyrtarisht nuk është larguar nga koalicioni qeverisës.

Ministrat serbë në Qeverinë Haradinaj, kanë vazhduar të dalin në vendin e punës dhe kanë marrë pjesë nëpër takime të ndryshme.

“Pavarësisht se Lista Serbe ka deklaruar se është larguar nga koalicioni qeverisës, ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, që vjen nga Lista Serbe, ka dalë në vendin e tij të punës.”

Ministri Rikallo nuk ka dashur të flasë për KTV-në. Por, kabineti i tij ka konfirmuar se ai ndodhet në vendin e punës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe, për t’u kthyer në Qeveri.

Në mbledhjen e Qeverisë, ministrat nga Lista Serbe nuk kanë marrë fare pjesë, edhe pse aty u diskutua për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Pas arrestimit të shefit të Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Lista Serbe kishte vendosur të largohet nga koalicioni qeverisës.

Ky vendim i tyre erdhi pas takimit që zhvilluan në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme