Arbëri

Limaj optimist se do të gjendet një zgjidhje e mirë për tarifën e Rrugës së Kombit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka bërë me dije se gjatë vizitës së tij në Tiranë ka pasur takime me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe përfaqësues tjerë të lartë të shtetit shqiptar.

Temë e këtyre takimeve, Limaj thotë se ka qenë vendosja e tarifës në Rrugën e Kombit. Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka bërë me dije se ka parë vullnet të kryeministrit Rama për të gjetur një modalitet të taksës, i cili nuk do ta rendonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në këtë rrugë.

“Unë pres shumë shpejt qe Qeveria shqiptare të dalë me një modalitet i cili merr në konsideratë interesat e biznesit Kosovë-Shqipëri dhe shqetësimet e qytetarëve”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Postimi i plotë i Limajt:

Në vizitën time në Tiranë kam pasur takime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Temë e këtij takimi ishte edhe vendosja e taksës për ata që kalojnë në "Rrugën e Kombit". Më kënaqësi mund të them se pashë një gatishmëri të kryeministri Rama për ta gjetur një modalitet të taksës, i cili nuk do ta rendonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në "Rrugën e Kombit". Të njëjtin vullnet e pashë edhe në takimin e përbashkët që pata me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, ministrin e Financave dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Unë pres shumë shpejt qe Qeveria Shqiptare të dalë me një modalitet i cili merr në konsideratë interesat e biznesit Kosovë-Shqipëri dhe shqetësimet e qytetarëve.