Arbëri

Ç’kontest kanë familjet Lushtaku e Mecinaj në Skenderaj

Një lokal rreth 80 metra katrorë është bërë mollë sherri ndërmjet familjeve Lushtaku dhe Mecinaj nga Skenderaj, pavarësisht se ishin të miqësuara mes vete, raporton KTV.

Shaqir Mecinaj thotë se këtë lokal e ka shfrytëzuar nga viti 2002, pronë kjo e ish-ndërmarrjes “Lux Drenica”.

Por, në vitin 2012, Mecinaj kishte pranuar një marrëveshje me Ukë Lushtakun, vëllai i Sami Lushtakut, që edhe këto 80 metra të privatizoheshin nga ai, në kuadër të 420 metrave të tjera, të gjitha lokale që i kishte blerë Lushtaku nga AKP-ja.

Thotë se marrëveshjen e pranoi, meqë procedurat e privatizimit do të ishin më të lehta për shkak të mbiemrit Lushtaku.

Por, kur u privatizua, Mecinaj thotë se u tradhtua nga Lushtaku, pasi ishin marrë vesh që për pjesën e tij të paguajë vetëm 8 mijë euro, ndërsa më pas Lushtaku kërkoi më shumë.

Por Mecinaj nuk ka kurrfarë dokumenti për këtë lokal dhe nuk e kishte liruar pronën deri tash.

Meqë Lushtaku ka fituar padinë në gjyq ndaj tij, gjatë ditës, përmbaruesi Atip Mustafa e ka ekzekutuar vendimin.

Urdhri u ekzekutua, por pa praninë e Mecinajt, i cili u shoqërua në polici. Mirëpo, kreditori, i biri i Ukë Lushtakut, thotë se asnjëherë i ati i tij nuk kishte bërë kurrfarë marrëveshje me askënd.

Rreth 500 m2 lokal, familja Lushtaku i kishte privatizuar me një çmim fare të lirë.